Flash News

POLITIKOFF

Shkrimtari Ylljet Aliçka shpallet “Qytetar Nderi i Kolonjës”

Shkrimtari Ylljet Aliçka shpallet “Qytetar Nderi i

Këshilli Bashkiak i Kolonjës ka vendosur t’i akordojë titullin “Qytetar Nderi i Kolonjës” shkrimtarit, diplomatit dhe skenaristit të njohur Ylljet Aliçka, në vlerësim të kontributit të tij të spikatur në letërsinë shqiptare dhe promovimin e kulturës kombëtare në arenën ndërkombëtare.

Ky vlerësim i jepet Aliçkës për krijimtarinë e pasur letrare, sukseset e arritura në nivel ndërkombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave të trevës së Kolonjës.

Ylljet Aliçka është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe mban titullin profesor dhe gradën doktor. Ai është autor i gjashtë veprave në prozë, të cilat janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, mes tyre anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, polonisht, çekisht dhe norvegjisht.

Përveç letërsisë, Aliçka ka dhënë kontribut edhe në kinematografi si skenarist. Ndër veprat më të njohura është skenari i filmit “Parullat me gurë”, i realizuar nga regjisori Gjergj Xhuvani.

Gjatë karrierës së tij ai ka marrë një sërë çmimesh letrare dhe kinematografike brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë anëtar i Komitetit Shkencor të Federatës Evropiane të Arsimit të Lartë (FEDE) dhe pjesë e projektit të Bashkimit Evropian “Net të letërsisë europiane 2012–2014”, ku u përzgjodh mes dhjetë shkrimtarëve më të vlerësuar evropianë.

Aliçka ka qenë gjithashtu kandidat për çmimin prestigjioz Man Booker Prize, ndërsa një nga novelat e tij është përfshirë në listën e dhjetë librave më të mirë të vitit nga The New York Times. Krahas krijimtarisë artistike, ai është angazhuar edhe në fushën e kritikës letrare.

Të fundit