E-TJERA

Hetohet për aferën 5D, lirohet nga qelia ish-drejtori i Bashkisë Tiranë

Hetohet për aferën 5D, lirohet nga qelia ish-drejtori i Bashkisë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish-drejtorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato, duke e zëvendësuar masen “arrest me burg” me masë më të lehtë “arrest në shtëpi”.

Qato po hetohet në kuadër të dosjes së njohur si “5D”, një çështje e SPAK që lidhet me dyshime për korrupsion dhe përfitime të paligjshme përmes procedurave të tenderimit në Bashkinë e Tiranës.

Vendimi i Apelit vjen pas shqyrtimit të masës së mëparshme të caktuar nga Gjykata e Posaçme, ndërsa hetimet ndaj ish-zyrtarit vijojnë ende.

Mariglen Qato u arrestua në mars të vitit 2024, pasi GJKKO i caktoi fillimisht masën “arrest në burg” për akuzat e korrupsionit pasiv dhe fshehjes së pasurisë.

Përmes avokatit të tij, ai ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës dhe se veprimet e tij kanë qenë në përputhje me ligjin. Sipas tij, procesi ndaj tij është ndikuar edhe nga presione politike.

Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Redi Molla, ndaj të cilit është caktuar gjithashtu masa “arrest në burg”. SPAK dyshon se ai ka favorizuar një kompani private në procedura tenderimi, akuza të cilat Molla i ka kundërshtuar duke pretenduar mungesë të konfliktit të interesit dhe veprim në përputhje me ligjin.

 

Të fundit