E-TJERA

Ndërruan jetë në vendin e punës dy oficerë policie të 313, reagon Drejtoria e Burgjeve

Ndërruan jetë në vendin e punës dy oficerë policie

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas ndarjes nga jeta të dy punonjësve të IEVP "Jordan Misja", duke bërë me dije se ata humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, specialisti i Informacionit me gradën Komisar, Zog Muhametaj, ka pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit. Kolegët dhe personeli shëndetësor i institucionit i kanë dhënë menjëherë ndihmën e parë, ndërsa ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Pak orë më vonë, rreth mesnatës së 30 qershorit, edhe Pëllumb Vrana, teknik i kamerave me gradën Kryeinspektor, ka pësuar një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë shërbimit. Edhe ai është transportuar me urgjencë në QSUT, ku ka ndërruar jetë rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor.

Reagimi:

“Një ngjarje e rëndë ka prekur familjen e madhe të sistemit penitenciar shqiptar. Gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të IEVP “Jordan Misja”, Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave, me graden Kryeinspektor, humbën jetën si pasojë e gjendjeve të papritura shëndetësore.

Rreth orës 21:36 të datës 29 qershor 2026, Zog Muhametaj, gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Kolegët e pranishëm dhe personeli shëndetësor i institucionit ndërhynë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke e transportuar me urgjencë me ambulancën e IEVP-së drejt Spitalit Ushtarak. Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të ekipit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.
Pak orë më vonë, rreth orës 00:00 të datës 30 qershor 2026, edhe Pëllumb Vrana, gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit, pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë iu dha ndihma e parë nga kolegët dhe infermierja e institucionit, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së. Rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.
Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015, ndërsa prej vitit 2023 shërbente në IEVP “Jordan Misja”.
Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë në detyrë.
Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, dha një kontribut të vyer në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin dhe vlerësimin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij në punë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nderon me respekt kujtimin e dy kolegëve tanë dhe shpreh mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer në përmbushjen e misionit të sistemit penitenciar shqiptar.
Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në ushtrimin e detyrës do të mbeten një shembull për institucionin dhe për të gjithë punonjësit e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë.

Të fundit