Flash News

Bota

Vala ekstreme e të nxehtit teston sistemet e kujdesit shëndetësor në Evropë

Vala ekstreme e të nxehtit teston sistemet e kujdesit shëndetësor

Sistemet shëndetësore në disa vende të Bashkimit Europian po përballen me presion të shtuar si pasojë e valës së të nxehtit që ka përfshirë kontinentin, duke sjellë temperatura rekord si gjatë ditës ashtu edhe natës.

Francë, autoritetet shëndetësore kanë deklaruar se po regjistrohen rastet e para të humbjes së jetës dhe situata ka kaluar në fazë emergjente, duke aktivizuar planin e posaçëm të reagimit Orsan. Ky plan u mundëson autoriteteve të mobilizojnë staf shtesë mjekësor, të koordinojnë spitalet dhe të shtyjnë ndërhyrjet jo urgjente për të përballuar fluksin në rritje të pacientëve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë franceze, numri i thirrjeve drejt shërbimeve të urgjencës është rritur me 15 deri në 20 për qind, ndërsa në disa qytete si Parisi dhe Rennes kjo rritje arrin deri në 40 për qind. Vetëm në Paris, brenda 24 orëve janë regjistruar 25 raste arresti kardiak, një shifër dukshëm më e lartë se mesatarja ditore.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet raportojnë presion të madh mbi sistemin shëndetësor. Sipas vlerësimeve, deri në 4 mijë ndërhyrje kirurgjikale mund të anulohen gjatë ditëve më të nxehta të javës, për shkak të kushteve të vështira në spitale dhe rritjes së rasteve emergjente.

Shërbimet e ambulancës në Londër kanë raportuar numrin më të lartë të emergjencave “jetë-kërcënuese” të regjistruara ndonjëherë brenda një dite, duke e lidhur drejtpërdrejt me temperaturat ekstreme që po përfshijnë kryeqytetin britanik.

 

Të fundit