Flash News

E-TJERA

"Ku ishe kur fëmijët rrezikonin jetën?", Qytetari "gozhdon" Shalsin: Nikaj-Mërturi nuk ka parë asnjë investim nga ju

"Ku ishe kur fëmijët rrezikonin jetën?", Qytetari

Besnik Nikoll Palnikaj ka publikuar një letër të hapur drejtuar deputetit Eduard Shalsi, ku e akuzon për mungesë angazhimi ndaj zonës së Nikaj-Mërturit dhe i kërkon të ndërhyjë për të ndalur punimet në Lumin e Mërturit.

Reagimi vjen vetëm pak ditë pasi vetë Palnikaj ngriti alarmin për ndërhyrjet me fadroma në shtratin e lumit, duke pretenduar se po ndërtohen tre diga betoni pa transparencë dhe pa dëgjesë publike me banorët.

Në letrën e tij, Palnikaj i drejtohet Shalsit me pyetjen: "Çfarë keni bërë konkretisht për zonën tonë?", ndërsa shton se deputeti nuk ka lënë asnjë investim të dukshëm në Nikaj-Mërtur.

Ai kujton edhe problematikat e pazgjidhura të zonës, si ura e Lumit të Vogël, ku sipas tij fëmijët rrezikojnë jetën çdo ditë për të shkuar në shkollë, ndërsa kritikon faktin që, sipas tij, deputeti gjen kohë të komentojë në rrjetet sociale, por jo të zgjidhë problemet e komunitetit.

Palnikaj ndalet edhe te debati për ndërhyrjet në lumin e Mërturit, duke theksuar se, sipas tij, fadromat kanë hyrë në lumë pa u zhvilluar një dëgjesë publike me banorët.

"Nëse doni të lini sadopak një faqe të bardhë në raport me Nikaj-Mërturin, bëni një shërbim që, sipas meje, nuk ia keni bërë kurrë kësaj treve: kërkoni që fadromat të largohen dhe Lumi i Mërturit të mos preket", shkruan ai.

Në përfundim të letrës, Palnikaj paralajmëron se, nëse lumi dëmtohet, përgjegjësia morale dhe politike, sipas tij, do të rëndojë edhe mbi emrin e deputetit Eduard Shalsi.

POSTIMI I PLOTE

I nderuar Eduard Shalsi!

Këto ditë, gjatë thirrjeve për mbrojtjen e Lumit të Mërturit (Currajve), pata disa replika me ju.

Në një situatë ku ne rrezikojmë të humbasim një nga pasuritë më të mëdha natyrore të zonës sonë, ndërsa ju personalisht nuk humbisni asgjë, a ju duket normale të më thoni: “Nuk dua ta humbas respektin për ty”.

A ju bën fakti që jeni deputet, ndërsa unë jam emigrant dhe një qytetar i thjeshtë, superior ndaj meje, un mendoj ndryshe.

Më thoni, çfarë keni bërë konkretisht për zonën tonë.
Ose më saktë; a keni bërë diçka?

Ju thatë se nuk keni bërë premtime dhe se keni qenë i kujdesshëm. Po a do të thotë kjo se rruga më e lehtë për të mos mbajtur përgjegjësi është të mos premtosh, rrjedhimisht, të mos bësh asgjë.

Ku ishe kur ngrita zërin për Urën e Lumit të Vogël. Kur fëmijët e zonës rrezikojnë jetën çdo ditë për të shkuar në shkollë?

Si ka mundësi që sot gjeni kohë të komentoni në faqen e një zone, për të cilën, sipas bindjes sime, nuk latë asnjë investim?

Ju thatë: “Unë nuk kam premtuar, por Majko po.” A ju bën kjo më të mirë? Për mua, jo.

Ju thatë se nga Nikaj-Mërturi keni njohur burra. Kjo nuk më habit. Nikaj-Mërturi ka nxjerrë burra ndër breza. Por pyetja ime është: cilët burra keni njohur? Ata që i rrinë pranë pushtetit, apo ata që sistemi i djeshëm i përndoqi, u burgosi e u vrau njerëzit më të dashur? E kupton shumë mirë çfarë dua të them.

Sot ju po shihni që një lumë po trajtohet si “përrua” dhe prapë halli juaj është të mos humbni respektin për mua.

Ju po shihni që fadromat kanë hyrë në lumë pa u zhvilluar një dëgjesë publike me banorët, e megjithatë meraku juaj mbetet prapë respekti për mua.

Të jeni i bindur se unë vij nga një familje që i ka bërë ballë një sistemi shumë më të egër se ky i sotmi. Prandaj nuk më trembin as postet, as titujt.

Nëse doni të lini sadopak një faqe të bardhë në raport me Nikaj-Mërturin, bëni një shërbim që, sipas meje, nuk ia keni bërë kurrë kësaj treve: kërkoni që fadromat të largohen dhe Lumi i Mërturit të mos preket.

Përndryshe, nëse ky lumë dëmtohet, kjo do të mbetet një njollë morale dhe politike edhe mbi emrin tuaj.

Të fundit