Flash News

E-TJERA

Aktivistja denoncon 3 deputetet e PS: Më kanë nxjerrë videon pa leje dhe kanë nxitur bullizëm

Aktivistja denoncon 3 deputetet e PS: Më kanë nxjerrë videon pa

Aktivistja Rexhina Roci ka reaguar publikisht duke denoncuar tre deputete të Kuvendit, Sara Mile, Romina Kuku dhe Zegjine Çaushi, të cilat sipas saj kanë marrë dhe publikuar pa autorizim një video të saj në rrjetet sociale.

Roci shprehet se publikimi i materialit ka sjellë një valë komentesh fyese dhe bullizuese ndaj saj, përfshirë edhe mesazhe të rënda që lidhen me një ngjarje personale të së kaluarës, kur ajo ka qenë viktimë e një tentative vetëvrasjeje në moshë të mitur.

Sipas aktivistes, deputetet në fjalë kanë lejuar dhe nuk kanë ndërhyrë për të ndalur gjuhën e urrejtjes që është përhapur në komentet e postimeve, duke e rënduar edhe më shumë situatën.

Në deklaratën e saj, Roci kërkon ndihmë ligjore për shkak të pamundësive ekonomike për të përballuar shpenzimet e një avokati, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe strukturave të krimit kibernetik për të vijuar me kallëzim.

 "Denoncoj publikisht Sara Milen, Romina Kuku dhe Zeqine Caushin, të cilat, pa lejen time, kanë marrë dhe publikuar në platformat e tyre foto dhe video të publikuara fillimisht në profilin tim. Pavarësisht statusit të tyre si deputete, ato kanë lejuar dhe nxitur një gjuhë bullizmi dhe urrejtjeje në komentet e postimeve të tyre, përfshirë komente të tilla si: “Hidhu nga kulla e Down Town-it, meqenëse je hedhur nga kati i katërt.”

Duke qenë se ato janë në dijeni të traumës që kam përjetuar në moshën rreth 13-vjeçare, kur u hodha nga kati i katërt si pasojë e bullizmit, lejimi i komenteve të tilla përbën, sipas meje, një akt të rëndë dhe të qëllimshëm që nxit gjuhën e urrejtjes dhe dhunën psikologjike ndaj meje.

Kërkoj ndihmën e një konsulenti ligjor, pasi aktualisht nuk kam mundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e një avokati. Para se të paraqes kallëzim pranë strukturave të Krimit Kibernetik, dëshiroj të konsultohem juridikisht për të ditur hapat që duhet të ndjek. Gjithashtu, deklaroj se në asnjë moment nuk kam publikuar foto apo video personale të deputeteve në fjalë dhe nuk kam përdorur emrat e tyre në platformat e mia për t’i sulmuar apo shënjestruar drejtpërdrejt. Videot e mia me karakter satirik i referohen fenomeneve aktuale dhe nuk kanë pasur si objektiv sulmin personal ndaj tyre.

Faleminderit! Shihemi në organet kompetente", shprehet ajo. 

Të fundit