Flash News

POLITIKOFF

Osman Mula në Elevate: Arti është kthyer në pazar, talentet po largohen nga Shqipëria

Osman Mula në Elevate: Arti është kthyer në pazar, talentet

Regjisori, kompozitori dhe muzikanti i njohur Osman Mula ka folur hapur për krizën që, sipas tij, po kalon arti shqiptar, duke akuzuar se mungesa e mbështetjes institucionale dhe interesat e ngushta kanë bllokuar rrugën e artistëve të rinj.

I ftuar në podcastin "Elevate", me Florjana Garon, Mula bëri një krahasim mes periudhës kur ai nisi karrierën dhe realitetit të sotëm, duke theksuar se dikur çdo i ri me talent kishte mundësi të zhvillohej përmes institucioneve kulturore, ndërsa sot kjo hallkë është shkatërruar.

"Brezi i ri nuk është se i ka të hapur shtigjet dhe tani po livadhit i lirë. Tashi ka dalë diku i thotë bari dhe kush ta hajë më përpara të bardhë. E para pse ky brez i ri sot nuk ka kujdes. Nuk ka kujdes sepse të gjitha institucionet e kujdeses janë prishur. Kujtesa fillon kur je në Shtëpinë e Pionierit. Ke një pedagog, fillon e të mëson, pastaj kalon te Klubi i Rinisë, te Shtëpia e Kulturës, në universitet dhe më pas në profesion. Edhe ai që nuk kishte mundësi të shkonte në shkollë aktivizohej në teatrin apo estradën e ndërmarrjes. Kështu formoheshin artistët", tha ai. 
Mula kujtoi edhe fillimet e tij si muzikant në Shkodër, ku, sipas tij, kontakti i drejtpërdrejtë me publikun ishte shkolla më e mirë për çdo artist.

Ai tha se pothuajse të gjithë emrat e njohur të muzikës shqiptare kanë kaluar të njëjtën rrugë, duke u formuar fillimisht në lokale, estradat e qyteteve apo aktivitetet artistike të kohës.

Duke folur për festivalet dhe industrinë muzikore të ditëve të sotme, Mula u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, funksionon sistemi.

"Unë nuk jam kritik as i ashpër, as i butë. Jam realist. Nuk duroj arrogancën dhe mendjemadhësinë boshe. Sot sheh skenografi ku harxhohen miliona, ndërsa këngëtarit të shkretë nuk i jepet asgjë. Nuk mund të ndërtosh diçka pa mbështetur njerëzit e punës dhe profesionalizmin. Këtu është thelbi", tha Mula. 
Regjisori hodhi akuza edhe më të forta, duke pretenduar se arti është kthyer në një treg ku vendosin interesa të ngushta dhe jo talenti.

"Këtu është një klan që bën pazar. Janë nja tre vetë aty që i ndajnë gjërat, mbledhin njerëzit e vet dhe marrin pjesën e tyre. Çfarë i thonë këngëtarit? 'Hajde këtu, paguaj që të dalësh në televizor'. Po pse kështu bëhet arti? Ku shkoi ai që ka talent, por nuk ka para? Çfarë do bëjë ai fëmijë? Do mbyllë gojën, do rrijë në rrugë e do kërkojë të ikë nga Shqipëria. Të rinjve duhet t'u themi: mos ikni nga Shqipëria, por rrini këtu dhe kërkoni të drejtën tuaj.", deklaroi ai. 
Në përfundim, Osman Mula theksoi se kritikat e tij nuk burojnë nga pakënaqësi personale, por nga shqetësimi për të ardhmen e artit shqiptar dhe mundësitë që, sipas tij, po u mohohen brezave të rinj.

Intervista e plotë:

 

Të fundit