Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi: Refuzimi i debateve, shkelje e rregullores së Kuvendit

Bardhi: Refuzimi i debateve, shkelje e rregullores së Kuvendit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se mazhoranca ka rrëzuar kërkesat e opozitës për zhvillimin e debateve në Kuvend, lidhur me protestën dhe shqetësimet e qytetarëve.

Sipas Bardhit, Partia Demokratike nuk pretendon të përfaqësojë protestuesit, por synon të përcjellë dhe të adresojë në Kuvend shqetësimet dhe problemet e tyre, të cilat, sipas tij, duhet të trajtohen me seriozitet institucional.

“PD ka dëgjuar dhe vlerësuar shqetësimet e qytetarëve që prej 26 ditësh që protestojnë në bulevard. Është fakt i njohur që protestat kanë marrë vëmendjen e disa parlamenteve europiane; i vetmi parlament që nuk i ka kushtuar asnjë vëmendje shqetësimeve të qytetarëve në shesh është ai i vendit tonë.

Me përgjegjësinë e plotë, PD ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin në raport me shqetësimet e qytetarëve, ka dorëzuar një mocion me debat për rolin që duhet të luajë Kuvendi në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe ka dorëzuar një mocion me debat mbi rezolutën e fundit të PE-së që cakton “detyrat e shtëpisë” në kuadër të procesit të integrimit.

Ky duhet të ishte plani ynë i punës, por të tre kërkesat na u refuzuan në Konferencën e Kryetarëve, pa asnjë argument dhe me pretendimin e tyre se ne tentojmë të bëhemi zëdhënës të protestuesve. Në asnjë moment nuk kemi pretenduar të bëhemi zëdhënës të protestave, por nuk mund të sillemi sikur nuk jetojmë në Shqipëri dhe për këtë arsye kërkuam debat në Kuvend”, tha Bardhi.

Sipas tij, debate të ngjashme zhvillohen në parlamentet europiane dhe në institucione të tjera ndërkombëtare, ndërsa shton se Kuvendi i Shqipërisë nuk po i kushton vëmendje situatës.

“Një debat i tillë është realizuar në PE, në Bundestagun gjerman dhe ne nuk mund të sillemi sikur protestat dhe qytetarët nuk ekzistojnë. Të treja kërkesat janë të drejta dhe na i njeh Rregullorja e Kuvendit”, tha ai.

Të fundit