Flash News

E-TJERA

Kapja e shtetit përmes territorit

Kapja e shtetit përmes territorit

Vjen një moment kur propaganda rrëzohet nga pesha e vet. Mjafton një dokument publik, i lexueshëm nga të gjithë, që fabula të mos arrijë më të mbajë peshën e realitetit. Kjo ndodhi pas rezolutës së Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, e cila kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Për disa ditë, qeveria u përpoq ta tregonte ndryshe historinë. Por vendimi ishte transparent dhe faktet ishin kokëforta. Sipas Hannah Arendt gënjeshtra ka autorë, ndërsa e vërteta dëshmitarë. Në këtë rast, duket se dëshmitarët ishin shumë më tepër se autorët e fabulës së ndërtuar rreth këtij vendimi.

Qysh prej 1 Qershorit, dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë përpara Kryeministrisë kundër mënyrës se si po qeveriset vendi. Dy javë më pas erdhi edhe rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila i vendosi Shqipërisë një kusht të qartë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: Mbrojtjen e territorit. Por dhjetë ditë pas këtij vendimi, Kuvendi i Shqipërisë vijon të mos mbajë një qëndrim. Avokati i Popullit, hesht. Ndërsa Presidenti i Republikës reagoi vetëm pas 25 ditësh, me një deklaratë të shkruar, pasi kishin folur qytetarët, organizatat, ekspertët, opozita dhe vetë Parlamenti Evropian. Kjo renditje tregon se impulsi politik nuk erdhi nga institucionet, por nga vetë shoqëria.

Por, Rezoluta e Parlamentit Evropian nuk shpjegon pse Shqipëria arriti deri në këtë pikë. Ajo vetëm konfirmon se problemi ekziston por pyetja mbetet:

Si arritëm deri këtu?

Nëse e vërteta mbi pasojat në territor tashmë është dokumentuar publikisht, pse qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur? Çfarë e bën atë të besojë se mund të injorojë një kritikë kaq të qartë nga institucionet Evropiane? Përgjigjja nuk duhet kërkuar te komunikimi politik i ditës, por te mënyra se si është ndërtuar marrëdhënia midis pushtetit, territorit dhe interesit privat.

Për tridhjetë e pesë vjet me radhë, konfliktet mbi territorin kanë pasur pothuajse gjithmonë të njëjtin epilog: qytetarët protestojnë, ekspertët paralajmërojnë, opozita kundërshton, ndërsa projekti ecën përpara. Kjo ka ndodhur me tokën, bregdetin, hapësirat publike, trashëgiminë kulturore dhe, së fundmi, me zonat e mbrojtura. Ky model nuk lindi me debatin për zonat e mbrojtura, por ai është ndërtuar gradualisht gjatë gjithë tranzicionit.

Kryeministri e ka përshkruar dikur me shkurtesën KÇK – “kap ç’të kapësh” – për të ironizuar një kulturë përfitimi që kishte zënë vend në jetën publike. Por kur bëhet fjalë për territorin, kemi kaluar në një fazë tjetër, pasi nuk kemi më vetëm individë që përpiqen të përfitojnë nga dobësia e shtetit. Jemi përballë një situate ku vetë shteti, i drejtuar nga qeveria, përdor instrumentet e tij për t’i hapur rrugë këtij përfitimi.

Rasti i Teatrit Kombëtar e bëri të dukshëm për herë të parë këtë mekanizëm. Konflikti nuk ishte vetëm për një ndërtesë historike. Ai zbuloi mënyrën se si shteti përdorte instrumentet e tij për të favorizuar interesin privat mbi tokën publike. Publiku u përjashtua nga vendimmarrja, protesta u injorua dhe, në fund, u dhunua. Me shembjen e teatrit nuk u mbyll një konflikt; u konsolidua një model qeverisjeje territoriale që më pas do të shtrihej në pjesë të tjera të vendit.

Në këtë dritë duhen parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Ato nuk prekën vetëm procedurat; ato ndryshuan vetë kuptimin e mbrojtjes. Ashtu si më parë ishte riinterpretuar zona e mbrojtur e Ansamblit Historik dhe Kulturor të Tiranës, edhe kufijtë e zonave natyrore filluan të trajtohen si vija që mund të ridizenjohen me vendim administrativ. Rasti i Vjosë-Nartës, ku një pjesë e territorit u hoq nga mbrojtja për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, krijoi një precedent domethënës: mbrojtja nuk u trajtua më si një kufi i pakalueshëm, por si një kategori e negociueshme. Pas këtyre ndryshimeve, zonat e mbrojtura nuk u konceptuan më vetëm si hapësira që duhet të ruhen nga ndërhyrja e njeriut, por si hapësira ku ndërhyrja mund të konsiderohet e pranueshme nëse etiketohet si “zhvillim”. Në këtë mënyrë, togfjalëshat “zhvillim” dhe “resort turistik elitar” nuk shërbyen vetëm si objektiva ekonomike; ato u shndërruan në instrumente për të riformuluar vetë kuptimin e mbrojtjes.

Paradoksi bëhet i dukshëm. Turisti që pushon në një resort me pesë yje nuk konsiderohet aktivitet njerëzor problematik për zonën e mbrojtur, ndërsa qytetari që kërkon të kalojë disa ditë në një kabinë të vogël druri trajtohet si kërcënim për të njëjtin territor. Në këtë mënyrë nuk mbrohet natyra, por krijohen territore ekskluzive, ku vetë shteti përzgjedh kush hyn, kush përfiton dhe kujt i ndalohet qasja.

Në Zvërnec ky paradoks mori formën e tij më konkrete. Tërheqja zvarrë e një banori nga persona të maskuar, përtej aktit të dhunës, tregoi mënyrën se si ushtrohet pushteti në territore që formalisht janë private, por që në praktikë funksionojnë si zona përjashtimi për qytetarët. Shpërfaqi për herë të parë fytyra pas „interesit privat“, të dhunojnë në sytë e policisë pa ju dridhur qerpiku. Pushtet ekstraligjor.

Por Zvërneci nuk është një rast i izoluar. Ai është manifestimi më i dukshëm i një modeli më të gjerë qeverisjeje territoriale, ku vendime me ndikim të madh publik merren në funksion të interesave të ngushta private dhe më pas mbrohen nga aparati institucional i shtetit. Konfliktet që kanë shoqëruar projektet në territor gjatë dekadës së fundit nuk janë episode të shkëputura. Ato janë shprehje të së njëjtës logjikë vendimmarrjeje.

Në Zvërnec shfaqet edhe një nga kontradiktat më të mëdha të tranzicionit shqiptar: e drejta e pronës private. Për qytetarët e zakonshëm ajo ka qenë për dekada e mohuar, e vonuar dhe e cenuar; ndërsa bëhet pothuajse e paprekshme dhe me të drejta absolute kur lidhet me pushtetin politik dhe ekonomik. Gardhi me gjemba nuk ndau vetëm një pronë. Ai ndau interesin publik nga privilegji privat dhe tregoi se territori po fragmentohet në hapësira ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Kjo logjikë nuk kufizohet te resortet e kontestuara. Ajo shfaqet në zhvillime të ndryshme ku fuqia ekonomike dhe mbështetja politike krijojnë privilegje të paarritshme për qytetarin e zakonshëm. Teatri Kombëtar, Butrinti, Palasa, Durrës Marina, Lalëzi, Tala dhe Rrjolli etj., janë raste të ndryshme të së njëjtës mënyrë të ushtrimit të pushtetit mbi territorin. Kur shihen veçmas, këto raste duken si konflikte të ndryshme. Të marra së bashku, ato zbulojnë të njëjtin mekanizëm: kapjen e shtetit përmes territorit.  Instrumentet e shtetit – ligji, planifikimi, lejet, institucionet dhe autoriteti publik – nuk përdoren më kryesisht për të mbrojtur interesin e publikut, por për të prodhuar dhe garantuar përfitime private në territor.

Por problemi nuk është prona private. Problemi është shteti.

Në momentin kur arbitri zbret në fushë dhe luan për njërën skuadër, loja pushon së qeni e drejtë. Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me kryeministrin dhe disa ministra anëtarë, është krijuar për të mbrojtur interesin publik, sipas kuadrit ligjor të Planifikimit dhe Zhvillimit të territorit. Megjithatë, në debatin për zonat e mbrojtura publiku ka dëgjuar shumë për interesin e investitorëve dhe shumë pak për atë publik. Ky i fundit është përmendur vazhdimisht si përfitues i zhvillimit të pretenduar, por rrallëherë është shpjeguar dhe asnjëherë është provuar.

Kur shteti pushon së vepruari si rojtar i interesit publik dhe bëhet palë me interesa te grupeve apo individëve, besimi te institucionet fillon të shembet. Kjo u pa qartë edhe më 30 maj në Zvërnec, kur mbrojtja e interesit privat u perceptua si mbrojtje e vetë shtetit. Ky ndryshim i rolit të qeverisë – nga mbrojtëse e territorit dhe interesit publik në mbrojtëse të interesave private – ka lënë pasoja të thella. Ai ka dobësuar shtetin e së drejtës, ka cënuar besimin te institucionet dhe ka krijuar territore ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë.

Gardhi i Zvërnecit u bë simbol pikërisht sepse bëri të dukshme atë që zakonisht mbetet e fshehur: dorëzimin e shtetit ndaj interesit privat dhe, në këtë rast, ndaj interesave të grupeve kriminale. Për këtë arsye, debati për zonat e mbrojtura nuk është vetëm debat për natyrën, as vetëm debat për turizmin. Është debat për mënyrën se si merren vendimet mbi tokën shqiptare, në interes të kujt merren ato dhe për rolin e shtetit në mbrojtjen e interesit publik.

Zvërneci nuk është më vetëm emri i një vendi. Është emri i një modeli qeverisjeje, ku territori pushon së qeni një e mirë e përbashkët dhe kthehet në objekt negocimi e privilegji. Kjo është arsyeja pse zemërimi i qytetarëve nuk buron vetëm nga një ligj apo nga një projekt i vetëm. Ata e kuptojnë se në lojë nuk është thjesht një zonë e mbrojtur.

Në lojë është vetë ideja e Republikës.

Sepse, nëse toka, natyra dhe pasuritë e përbashkëta qeverisen sipas interesit të më të fortit, atëherë kemi pranuar kapjen e shtetit përmes territorit. Nëse jo, territori mbetet ajo që duhet të jetë në një demokraci: një e mirë e përbashkët që administrohet në emër të të gjithëve dhe jo në favor të disave.

Mënyra se si qeveriset territori është mënyra se si qeveriset Republika./ Citizens Channel

Të fundit