Flash News

Bota

Evropa nën pushtetin e vapës ekstreme, Gjermania regjistron temperaturë historike prej 41.3°C

Evropa nën pushtetin e vapës ekstreme, Gjermania regjistron

 

Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Qendrore, duke thyer rekorde temperaturash në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Meteorologët paralajmërojnë se ditët në vijim do të mbeten përvëluese, ndërsa një freskim i lehtë i motit pritet vetëm në fillim të javës së ardhshme.

Në Gjermani, qyteti i Saarbrücken regjistroi temperaturën më të lartë të matur ndonjëherë në vend, 41.3 gradë Celsius. Në shumë rajone të jugut dhe jugperëndimit temperaturat iu afruan 40 gradëve, ndërsa Shërbimi Federal Meteorologjik (DWD) shpalli alarm për nxehtësi ekstreme në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimeve, termometri mund të arrijë deri në 42 gradë Celsius në disa zona. 

Ekspertët lidhin rritjen e temperaturave me ndryshimet klimatike, duke theksuar se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Përveç rrezikut për shëndetin, ato po shkaktojnë edhe pasoja ekonomike, me ndikim në produktivitet, transport, industri dhe furnizimin me energji. Sipas vlerësimeve, Gjermania mund të përballet me humbje ekonomike të konsiderueshme nëse fenomeni vazhdon me të njëjtin ritëm. 

Edhe Austria dhe Zvicra po përjetojnë temperatura rekord. Në Austri, termometri ka arritur deri në 37.8 gradë Celsius, ndërsa në Vjenë pritet të afrohet me 40 gradë gjatë fundjavës. Në Zvicër, temperaturat e larta kanë detyruar autoritetet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme, përfshirë pezullimin e funksionimit të një centrali bërthamor për të mbrojtur ekosistemin e lumit Aare.

Autoritetet në vendet e prekura u bëjnë apel qytetarëve të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike

Të fundit