E-TJERA

Miti i ekonomisë që mbahet nga paratë e dr*gës

Miti i ekonomisë që mbahet nga paratë e dr*gës

Për aq kohë sa Edi Rama ka qenë në pushtet, e madje edhe më herët, flitet që paratë e pista kanë qenë të pranishme në shkallë të madhe dhe kanë ndikuar ekonominë e vendit në mënyrë sistemike. Por kushdo që mendon se këto para kanë sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e vendit ka gjasa që injoron faktin se paratë e pista i përkasin një minorance të papërfillshme dhe se, pasojat negative i vuajnë shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Paratë e pista duket se kanë kaluar nga rendi i dhjetëramilionave në vitet e para të qeverisjes së Ramës në rendin e qindramilionave në vit pas pandemisë dhe fillimin e bumit të ndërtimit. Kjo vihet re si te kursi i këmbimit, ashtu edhe nga lajmet e kronikës së zezë.

Leku filloi të forcohet, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016. Pas pothuajse një dekade rreth kuotës 140 lekë për euro, kuotë e shënuar fillimisht në vitin 2009, viti 2016 u mbyll me kuotën 130 lekë për euro. Pas një periudhe stabiliteti rreth kuotës 120 lekë që vijoi gjatë pandemisë dhe më pas, deri në krizën e çmimeve të shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, leku rifilloi të forcohet pas gushtit të vitit 2022. Nga pranvera e vitit 2024, Banka e Shqipërisë filloi operacionet masive të blerjes së valutës për të shmangur forcimin e mëtejshëm. Fakti që BSh bleu gati 1 miliardë euro gjatë vitit 2024 dhe një shifër të ngjashme më 2025, ndërkohë që leku,  jo vetëm që nuk u dobësua, por vijoi të forcohet, tregon  forcën reale të strukturave kriminale të vendit në tregun ndërkombëtar të drogës.

Sa i përket lajmeve nga krimi, ngjarja e parë e madhe nga kronika e zezë ndodhi në vitin 2016. Një operacion i DEA-s amerikane dhe i autoriteteve greke shpalli në kërkim Kelmend Balilin, të cilit media greke iu referua me nofkën “Eskobari i Ballkanit”. Afërsisht 2.5 tonë marijuanë ishin sekuestruar dhe dokumentuar të lidhura me këtë grup kriminal, gjë që sugjeron xhiro në rendin  e dhjetëramilionëve.

Kjo ishte edhe ngjarja që nxorri në pah lidhje të ngushta mes politikës dhe krimit. Balili u dënua më vonë për trafikimin e marijuanës ndërsa lidhje të tij familjare kishin biznese të ligjshme (përfshirë kompani të sigurisë fizike), ndërsa një nip shërbeu si kryebashkiak i bashkisë së vogël të Delvinës. [Link]

Ngjarja e dytë e madhe ndodhi në tetor 2017. Partia Socialiste sapo kishte fituar zgjedhjet e vetme, falë asaj që më vonë u mësua se ishte angazhimi i grupeve kriminale në shumë qarqe kyçe të vendit, përfshirë Durrësin dhe Elbasanin.

Autoritetet italiane goditën në këtë kohë një bandë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria për në Itali, të njohur si Vëllezërit Habilaj. Autoritetet italiane dokumentuan katër apo pesë ngarkesa që arrinin një një apo 2 tonë dhe që i përkisnin kësaj bande, ngarkesa këto të sekuestruara. Numri i ngarkesave të pasekuestruara supozohet gjithmonë disa herë më i lartë dhe xhiroja e vlerësuar duhet të ketë qenë gjithashtu në rendin miliona e ndoshta dhjetëra miliona euro. [Link] Edhe në këtë rast, lidhjet e shumta politike, përfshirë lidhjet me ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri u vunë në pah.

Ndërsa dhjetëramilionat e eurove të kultivimit të marijuanës janë shumë para për një vend të vogël si Shqipëria, ajo që pasoi duket se e rriti problemin në magnitudë.

Në vitin 2018, një hetim i autoriteteve gjermane dhe shqiptare goditi një grup të trafikimit të drogave të forta, të njohur si Vëllezërit Avdyli, me bazë në Shijak dhe me lidhje anekënd Shqipërisë. Përgjimet për këtë grup kriminal zbuluan edhe përfshirjen masive të tyre në sigurimin e votave për Partinë Socialiste. [Link]

Hetimet e SPAK bazuar në Sky ECC sugjerojnë se nga viti 2020, bandat kriminale shqiptare ishin mjaftueshëm të fuqishme sa të organizonin trafikimin e dhjetëra tonelatave kokainë me xhiro të vlerësuar në miliarda euro. Sipas hetimit të fundit të SPAK, një bandë kriminale është identifikuar si përgjegjëse për trafikimin e pesëdhjetë tonëve kokainë me çmim shumice së paku 1 miliardë euro.

Miliardat e eurove kanë fuqinë të shkatërrojnë një vend për dekada. Nga njëra anë është efekti i parë negativ i cili është thjeshtë ekonomik. Prurjet e stërmëdha valutore, pavarësisht nëse janë të pista apo të pastra, shkaktojnë forcimin e monedhës kombëtare dhe forcimi i monedhës gërryen aftësinë e vendit për të eksportuar mallra dhe shërbime.

Kjo vërehet drejtpërsëdrejti në rënien e konsiderueshme të eksporteve të manifakturës si dhe tkurrjen e vazhdueshme të prodhimit bujqësor e blegtoral të vendit. Të dyja, sektori i manifakturës, i cili në Shqipëri punëson dhjetëramijëra vetë dhe që merret kryesisht me prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve, dhe bujqësia, e cila nominalisht zë me punë rreth 300 mijë shqiptarë që jetojnë në zonat rurale kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga viti 2022 e në vijim.

Morali i fabulës është që, ndërsa paratë e drogës nominalisht janë konvertuar në Prodhim të Brendshëm Bruto në formën e betonit të derdhur në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, ato kanë pakësuar prodhimin në bujqësi e në manifakturë për shkak të efektit negativ të kursit të këmbimit në eksporte. Pasojat janë tragjike për shkak se, sektori i ndërtimit,  përfituesi i drejtpërdrejtë i parave të drogës, punëson një numër të kufizuar shqiptarësh në krahasim me bujqësinë dhe manifakturën. Pasojat janë afatgjata për shkak se, gërryerja e aktivitetit ekonomik detyrimisht që largon njerëzit nga Shqipëria në kërkim të mjeteve të jetesës në vende të tjera.

Njerëzit dukshëm largohen nga Shqipëria edhe për faktin se paratë e drogës kanë shkaktuar inflacionim të paarsyeshëm dhe të papërputhshëm me ekonominë e gjerë të çmimeve të apartamenteve, në një vend ku, lëvizjet e popullsisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë masive dhe nevojat e qytetarëve për banesë në qytetet e mëdha si Tirana dhe Durrësi janë të stërmëdha. Ndërsa paratë e drogës rrisin çmimet e banesave në nivele të pakapshme për shumicën e popullsisë, ajo që mbetet në fund janë apartamente bosh dhe konsumatorë të pakësuar për shkak të emigrimit.

Pasojat thjesht ekonomike nga paratë e drogës janë vetëm maja e ajsbergut. Sepse paratë e drogës vijnë bashkë me trafikantët, të cilët, jo doemos, por zakonisht janë njerëz të dhunshëm. Nuk mundet të bësh kurrfarë aktiviteti ekonomik në një zonë që kontrollohet nga krimi i organizuar dhe kjo duket se ka ndodhur anekënd Shqipërisë. Njerëzit janë larguar, aktiviteti ekonomik është braktisur, tokat janë lënë djerrë.

Ka që kanë frikë se mos ndërprerja e parave të drogës do të shkaktojë ndonjë krizë financiare në Shqipëri. Kjo frikë është e ekzagjeruar. Kompanitë e krijuara me para droge nuk kanë ose kanë shumë pak huamarrje në sektorin bankar, gjë që do të thotë se bankat nuk do të hasin rritje të kredive të këqija. Dhe, ndryshe nga kriza e vitit 1997, kur pjesa më e madhe e popullsisë humbi para në skemat piramidale, në rastin aktual ekonomia e drogës i përket vetëm një pjese shumë të vogël të popullsisë.

Ndërprerja e parave të drogës, nëse do të mund të realizohet, do të sjellë ftohje të çmimit të apartamenteve, gjë që do të jetë pozitive për shumicën e popullsisë, pra për qytetarët që kërkojnë banesën e parë apo kërkojnë shtëpi më të madhe nga sa kanë.

Ndërprerja e parave të drogës do të shkaktojë, sipas gjasave, vështirësi financiare në Bashkinë e Tiranës, e cila përgjatë viteve është mësuar të ushqehet nga paratë e paguara si taksë e ndikimit në infrastrukturë të blloqeve të reja të banimit. Por nëse shohim keqpërdorimet e tejskajshme buxhetore, kjo vështirësi sipas gjasave do të kalojë pa u vënë re nga pjesa tjetër e qytetarëve.

Sa i përket pjesës tjetër të ekonomisë, fakti që BSH akumuluar rezerva të stërmëdha të euros së blerë për shmangien e forcimit të lekut, do të thotë se ka rezerva të mjaftueshme për të ndaluar dobësimin e shpejtë të lekut. Dhe fakti që mbi kursin e këmbimit nuk do të ketë më presion pas kësaj, do të mundet të lehtësojë barrën për manifakturën dhe bujqësinë.

Ka gjasa që një pjesë e madhe e pallateve të nisura me para droge ose me shpresën se do të ketë blerës që kanë para të lehta, do të mbeten përgjysmë apo të papërfunduara. Për këtë nevojitet që kompanitë që falimentojnë t’i nënshtrohen procedurave  të rregullta të falimentit dhe asetet e detyrimet e tyre të mund t’i shiten kompanive të tjera, të gatshme për të përfunduar pallatet.

Disa projekte fantazmagorike të lartësive të mëdha do të duhet të zvogëlohen në përmasa sepse dukshëm në mungesë të parave të drogës, në Tiranë nuk vend për ndërtesa 30 apo më shumë kate.

Me rëndësi kyçe është që bashkë me ndalimin e parave të drogës, vendi të mund të çlirohet nga kontrolli i grupeve kriminale, të cilat kanë bërë pjesë të mëdha të vendit praktikisht të pajetueshme. Për të tjerat, ndërprerja e parave të drogës do të sjellë vetëm të mira. Reporter.al

Të fundit