E-TJERA

Zbardhet dinamika e plagosjes me armë në Pogradec, 4 persona tentuan të vrisnin 35-vjeçarin

Zbardhet dinamika e plagosjes me armë në Pogradec, 4 persona tentuan

Policia ka hedhur dritë mbi atentatin me armë zjarri ndaj 35-vjeçarit Brian Syzo në Pogradec, duke identifikuar katër persona si autorë të dyshuar të ngjarjes.

Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, sulmi lidhet me konflikte të mëparshme mes palëve dhe dyshohet se synimi ishte eliminimi i 35-vjeçarit.

Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar Nikolas Agolli, 24 vjeç, David Prifti, 30 vjeç, si dhe M. B., 40 vjeç dhe E. A., 22 vjeç. Dy të parët janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët vijojnë të kërkohen.

Njëri prej autorëve kryesorë u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, ndersa gjatë operacionit u sekuestruan tre automjete dhe gjashtë telefona celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve.

Njoftimi: 

Zbardhen rrethanat e ngjarjes së djeshme, identifikohen 4 autorët e dyshuar të tentativës për vrasjen me armë zjarri të një 35-vjeçari.

Arrestohen 2 prej tyre, shpallen në kërkim 2 të tjerët (të katërt me precedent penal për krime kundër personit).

Njëri prej autorëve kryesorë u vu në pranga disa minuta pas ngjarjes, pas ndjekjes së pandërprerë nga Policia.

Sekuestrohen 3 automjete dhe 6 aparate celularë.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në lagjen nr. 3, Pogradec, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, një 35-vjeçar, u identifikuan 4 autorët e dyshuar të ngjarjes, të katërt me precedent penal për krime kundër personit.

2 prej tyre, shtetasit N. A., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe D. P., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec, u vunë në pranga, ndërsa 2 të tjerët, shtetasit M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, u shpallën në kërkim.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me shtetasin B. S., 35 vjeç, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec.

Njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga shërbimet e Policisë.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete dhe 6 aparate celularë.

35-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Të fundit