E-TJERA

Protesta kundër Ramës, flet eurodeputetja: Iu shërbejmë njerëzve, jo interesave, qeveria të dëgjojë qytetarët

Protesta kundër Ramës, flet eurodeputetja: Iu shërbejmë

Eurodeputetja e Grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Cristina Guarda, ka komentuar protestat qytetare që prej më shumë se një muaji po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se institucionet politike duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve kur ai bëhet i gjerë dhe i vazhdueshëm.

Ajo u shpreh në News24 se nuk i takon të gjykojë drejtësinë e kërkesave, por sipas saj, prania e një numri të madh protestuesish tregon nevojën për dialog dhe reflektim nga ana e politikës.

“Nuk është roli im të analizoj kërkesat dhe nëse ato janë të drejta apo jo. Por do të thoja se kur ka një numër kaq të madh njerëzish që kërkojnë të dëgjohen dhe të shihen nga një politikan, është e nevojshme të kuptohet pse dhe çfarë po ndodh. Dhe kështu, jo vetëm të tërhiqemi në një mënyrë politike, por politikanët të hapin veshët e tyre për të dëgjuar njerëzit. Kjo është ajo që ka rëndësi. Ne po u shërbejmë njerëzve, jo interesave”, tha ajo.

Duke folur për rezolutën e fundit të Parlamentit Europian dhe shqetësimet mbi zhvillimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri, Guarda theksoi se Grupi i të Gjelbërve ka propozuar amendamentin për pezullimin e projektit në Zvërnec, deri në verifikimin e plotë të përputhshmërisë me standardet e BE-së dhe përfshirjen e shoqërisë civile në vlerësimet mjedisore.

“Jo, dhe kjo është arsyeja pse ne si Grupi i të Gjelbërve ishim ata që propozuam amendamentin e famshëm që kërkoi ndalimin e projektit dhe moratoriumin derisa të kuptojmë se po respektohet plotësisht kuadri i BE-së. Duhet të kemi vlerësim mjedisor, vlerësim autonom me pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Dhe, nëse mund të them, ky është një problem shqiptar, në rregull, por në Itali po jetojmë pothuajse të njëjtën situatë.

Pra, me një resort me pesë yje, pa dëgjuar njerëzit dhe pa vlerësim mjedisor. Dua të them se hyrja në Bashkimin Evropian nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të jemi, si qytetarë dhe politikanë, koherentë dhe të kontrollojmë atë që po ndodh, duke respektuar ligjet tona dhe duke kuptuar rëndësinë e këtyre ligjeve. Prandaj e ndjeva kaq të çmuar aktivizmin e qytetarëve për çështjet mjedisore dhe për koherencën e një politike që bëhet për njerëzit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, problematika të ngjashme me mungesë transparence dhe ndikim në mjedis po shfaqen edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë Italinë, ku zhvillime të ngjashme po ndodhin pa konsultim të mjaftueshëm publik.

Eurodeputetja nënvizoi se procesi i integrimit në BE nuk mjafton vetvetiu, nëse nuk shoqërohet me respektim real të ligjeve dhe standardeve demokratike.

“Është shumë e rëndësishme, por jo vetëm për një vend që dëshiron të jetë pjesë e BE-së, por edhe për shtetet anëtare që janë tashmë në BE. Zakonisht politikanët në këtë moment… ndjej se shumë politikanë në mbarë botën po bëjnë zgjedhje pa respektuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj dua të them se marr pjesë në këto protesta dhe vlerësoj ndjeshmërinë, ndjenjën e demokracisë që njerëzit kërkojnë. Por ndërkohë, unë po u kërkoj edhe njerëzve të mi në Itali dhe në Evropë që të jenë elastikë dhe të jenë gjithashtu të gatshëm t’i kërkojnë më shumë politikanëve”, tha ajo.

Të fundit