E-TJERA

Falsifikimi i pronave në Durrës, SPAK dërgon në gjyq 8 të pandehur, Rrumi akuzohet si 'truri' i skemës

Falsifikimi i pronave në Durrës, SPAK dërgon në gjyq 8

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë të pandehur, të akuzuar për ngritjen dhe drejtimin e një skeme kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave në bregdetin e Durrësit.

Sipas SPAK, në qendër të skemës qëndronin Aleksandër Laho, i njohur edhe me nofkën "Rumi", dhe Vullnet Muça, të cilët dyshohet se krijuan dhe drejtuan një grup të strukturuar kriminal që vepronte prej vitesh në zonën Shijak–Kepi i Rodonit. Në këtë aktivitet ishin të përfshirë edhe Agron Bejdolli, Vlash Brahja, Mikel Zaho, Artur Isaku dhe persona të tjerë, ndërsa në gjyq janë dërguar gjithashtu Ermira Avdyli dhe Urim Agasi.

Hetimet kanë zbuluar se grupi falsifikonte Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), duke përvetësuar qindra mijëra metra katrorë tokë shtetërore ose të papretenduar nga ish-pronarët. Dokumentet e falsifikuara regjistroheshin më pas në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, me ndihmën e punonjësve të institucionit, për t'u shitur më tej si prona të ligjshme.

Sipas dosjes hetimore, organizatorët identifikonin familje bujqësore me kushte të vështira ekonomike dhe shfrytëzonin dokumentacionin e tyre për të fabrikuar tituj pronësie. Më pas prodhoheshin dokumente të tjera të falsifikuara, të cilat integroheshin në arkivat dhe sistemin elektronik të Kadastrës, duke krijuar një zinxhir të plotë legalizimi të pronave të përvetësuara.

SPAK thekson se një pjesë e aktivitetit kriminal është dokumentuar edhe përmes komunikimeve në platformën e koduar SkyECC, ku sipas hetimit provohet roli drejtues i Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës në organizimin dhe financimin e skemës. Juristët e ASHK-së, Mikel Zaho dhe Artur Isaku, akuzohen se manipuluan sistemin elektronik të regjistrimit të pasurive, duke regjistruar prona me dokumente të falsifikuara dhe duke lehtësuar shitjen e tyre.

Të fundit