E-TJERA

Del letra e Metës për avokatin Cakrani: Dua të kem një mbrojtës që merret vetëm me çështjen time

Del letra e Metës për avokatin Cakrani: Dua të kem një

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë publike një letër të kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, drejtuar avokatit Kujtim Cakrani, përmes së cilës njofton vendimin për të mos u përfaqësuar më prej tij në proceset ligjore.

Në letrën e publikuar, Meta argumenton se vendimi vjen si pasojë e kompleksitetit dhe ngarkesës së çështjeve që po ndjek, si në procesin në themel ashtu edhe në procedurat që pritet të zhvillohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij, situata kërkon një angazhim të vazhdueshëm dhe të dedikuar nga një avokat i vetëm.

“Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe me shpresën e mirëkuptimit tuaj, për shkak jo vetëm të angazhimeve tuaja të shumta dhe të shtuara, ndërkohë që ngarkesa e çështjes sime, jo vetëm në themel, por edhe për GJEDNJ, kërkon angazhim të përditësuar e të përhershëm, kam vendosur që të kem një avokat që të merret vetëm me çështjen time dhe që të jetë në dispozicionin tim tërë kohën”, thuhet në letrën e Metës.

Në të njëjtin komunikim, Meta i kërkon avokatit Cakrani që të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e deritanishëm te Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ndërsa sqaron se çështjet financiare do të mbulohen nga familjarët e tij.

Po ashtu, ai bën të ditur se për ndryshimin e përfaqësimit ligjor do të njoftohet edhe Gjykata e Posaçme.

 

Të fundit