Flash News

E-TJERA

Eurodeputetët denoncojnë pengesa në kampin e Gjadrit, nuk u lejuan të inspektojnë qelitë

Eurodeputetët denoncojnë pengesa në kampin e Gjadrit, nuk u

Portali evropian EUobserver i ka kushtuar një artikull vizitës së një delegacioni eurodeputetësh në qendrën italiane të emigrantëve në Gjadër, duke raportuar se autoritetet italiane penguan inspektimin e plotë të objektit.

Siç shkruan politiko.al eurodeputetët e grupit të të Gjelbërve dhe Aleancës së Lirë Evropiane (Greens/EFA) nuk u lejuan të hynin në ambientet ku mbahen të ndaluarit dhe ngritën shqetësime serioze për kushtet në qendër, duke përmendur edhe raste të vetëlëndimit dhe tentativa për vetëvrasje mes emigrantëve.

"Eurodeputetët e Gjelbër dhe Aleancës së Lirë Evropiane (EFA) u përballën me vështirësi për të hyrë në qendrat italiane të ndalimit në Shqipëri të hënën (29 qershor), pasi autoritetet italiane në terren refuzuan hyrjen për disa anëtarë të stafit të tyre.

Më pas, ligjvënësve evropianë iu ndalua edhe inspektimi i ambienteve të jetesës dhe qelive në qendrën e ndalimit në Gjadër. Eurodeputetja holandeze e të Gjelbërve, Anna Strolenberg, tha se u përballën me "justifikime" kur kërkuan të hynin në ambientet e qendrës.

"Me vete kishim dy persona që punojnë me ne për këtë çështje, jo në Parlamentin Evropian, por jashtë tij. Këtë e kam bërë edhe herën e kaluar kur kam ardhur. Këtë herë, disa prej tyre u refuzuan," tha ajo.

"Ata nuk pranuan të na jepnin asnjë shpjegim pse nuk mund të hynin," shtoi Strolenberg, duke theksuar se policia italiane në terren pengoi hyrjen e delegacionit.

Sipas saj, eurodeputetët kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për të kuptuar nëse qendra jashtë territorit italian do të përdorej si një qendër kthimi në kuadër të rregullores së re të Bashkimit Evropian për kthimet, por konstatuan se, të paktën për momentin, ajo do të vijojë të funksionojë si një qendër paraburgimi për personat që presin dëbimin.

"Por jam disi skeptike nëse kjo do të ndryshojë," tha Strolenberg.

Ajo kujtoi se në territorin e qendrës zbatohet ligji italian. Objekti ishte parashikuar fillimisht për përpunimin e kërkesave për azil, por tashmë funksionon vetëm si qendër ndalimi për personat që presin deportimin.

"Ishte e qartë se po përpiqeshin të na pengonin të hynim," u shpreh eurodeputetja.

Delegacionit iu mohua gjithashtu mundësia për të takuar drejtpërdrejt të ndaluarit në ambientet ku jetojnë, sërish pa ndonjë shpjegim të qartë.

"Shumë prej tyre kanë mbërritur në Itali si të mitur të pashoqëruar dhe kanë jetuar atje për dhjetë vjet. Papritur janë transferuar në një kamp jashtë territorit italian. Sot takova një djalë që kishte prerë krahun e tij dhe shumë të tjerë kanë tentuar vetëvrasjen," tha Strolenberg.

Sipas saj, shumë prej të ndaluarve flasin italisht dhe ndodhen në një situatë të paqartë, pa marrë shpjegime të mjaftueshme për statusin e tyre. Eurodeputetët thanë se disa prej tyre madje nuk lejohen as të paraqesin zyrtarisht një kërkesë për azil.

Gjatë vizitës, delegacioni konstatoi shenja vetëlëndimi tek disa të ndaluar dhe vuri re se tentativat për vetëvrasje nuk janë raste të izoluara në këtë qendër.

"Ky sistem i krijuar në bazë të marrëveshjes Itali-Shqipëri është qartësisht jofunksional dhe duhet të sigurohemi që të mos shndërrohet në model për qendrat e ndalimit të financuara nga Bashkimi Evropian," deklaroi eurodeputetja holandeze Tineke Strik, koordinatore e të Gjelbërve në Komisionin për Liritë Civile të Parlamentit Evropian.

Pas një sërë sfidash ligjore të dështuara, qendra në Gjadër ka qenë objekt kritikash edhe për kostot shumë të larta të funksionimit. Sipas një studimi të publikuar korrikun e kaluar nga organizata ActionAid Italy, shpenzimet për këtë strukturë arrijnë në disa qindra milionë euro, deri në shtatë herë më të larta sesa do të kushtonte një qendër e ngjashme brenda Italisë", thuhet në artikull. 

Të fundit