E-TJERA

Haaland dërgon Norvegjinë në çerekfinale, Brazili pengesa e radhës

Haaland dërgon Norvegjinë në çerekfinale, Brazili pengesa

Norvegjia shkroi historinë në Kupën e Botës, duke siguruar për herë të parë një fitore në fazën me eliminim direkt. Skuadra skandinave triumfoi 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në një ndeshje të luftuar deri në sekondat e fundit, duke prerë biletën për në çerekfinale.

Norvegjezët e nisën takimin me ritëm të lartë dhe krijuan rastet e para të rrezikshme, me Erling Haaland që iu afrua golit që në minutat e para. Megjithatë, edhe Bregu i Fildishtë reagoi shpejt, duke iu afruar avantazhit me Nicolas Pépé, i cili u shërbye mirë nga Yan Diomandé.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, Antonio Nusa zhbllokoi sfidën me një realizim spektakolar. Sulmuesi norvegjez depërtoi nga krahu i majtë dhe me një goditje të bukur mposhti portierin kundërshtar, duke i dhënë epërsinë ekipit të tij.

Pas pushimit, skuadra afrikane rriti ndjeshëm presionin në kërkim të barazimit. Portieri Ørjan Nyland bëri disa ndërhyrje vendimtare, por nuk mundi të ndalte Amad Diallo, i cili me një aksion individual të shkëlqyer barazoi shifrat 1-1.

Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, në skenë doli sërish Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez përfitoi nga një asist i Patrick Berg dhe nga afërsia e portës realizoi golin e fitores, duke ndezur festën e Norvegjisë.

Në minutat e fundit, Nyland ruajti avantazhin me një tjetër pritje vendimtare ndaj Amad Diallo, duke vulosur kualifikimin historik të norvegjezëve.

Me këtë sukses, Norvegjia avancon në çerekfinale, ku e pret një duel i madh me Brazilin.

 

Të fundit