E-TJERA

Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar

Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar

Nga: Valentin Vuçaj

Qershori i vitit 2026 është një muaj i bekuar për shqiptarët e Britanisë së Madhe, një ndër klerikët më të shquar të viseve shqiptare e njëherësh Kardinali i vetëm shqiptar në Vatikan Kardinal Ernest Simoni Troshani, vizitoi Mbretërinë e Bashkuar me ftesë tëKishës Katolike Angleze dhe aktivistëve katolikë shqiptarë.

Kardinali arriti në Areoportin e Gatwick të mërkurën e datës 10 qershor rreth orës 11:00 (AM), i shoqëruar nga asistenti i tij z. Preng Gjini.

Takimi i parë zyrtar u zhvillua në Parlamenti Britanik po atë ditë, ku Kardinal Ernest Simoni Troshani u mirëprit nga deputetë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Z. Martin Vickers (MP), etj, i cili u kujdes personalisht për vizitën e tij. Z. Vickers theksoi:“Se është jashtëzakonisht i lumtur që po takon një figurë kaq madhore të komunitetit shqiptar”.

Në emër të komunitetit shqiptar, para deputetëve, gazetarëve dhe të pranishmëve të tjerë, Prof. Romeo Gurakuqi mbajti fjalën e rastit në nderim të Kardinalit Ernest Simoni Troshani, duke e cilësuar atë një figurë të shquar të Kishës Katolike dhe një dëshmitar të gjallë të persekutimit që pësoi Kisha Katolike Shqiptare gjatë regjimit komunist.Në fjalën e tij, ai vuri në dukje kontributin historik të jashtëzakonshëm të Kishës Katolike në jetën kombëtare shqiptare, duke theksuar se për shekuj me radhë ajo ruajti gjuhën shqipe, përhapi arsimin, forcoi vetëdijen kombëtare dhe mbajti të gjalla lidhjet e Shqipërisë me traditën kulturore dhe shpirtërore të Evropës. Sipas tij, pikërisht ky autoritet moral, intelektual e patriotik e bëri Kishën një nga objektivat kryesore të diktaturës komuniste, e cila mbylli institucionet e saj, konfiskoi pronat kishtare dhe përndoqi me ashpërsi peshkopë, meshtarë, rregulltarë, murgesha dhe besimtarë laikë. Prof. Gurakuqi kujtoi gjithashtu se përndjekja e komunitetit katolik la pasoja të thella në shoqërinë shqiptare dhe shprehu shqetësimin për sfidat me të cilat përballet sot veriu i Shqipërisë, duke përmendur rënien demografike, emigrimin dhe nevojën për një vlerësim më të drejtë të trashëgimisë historike dhe kontributit të këtij komuniteti në ndërtimin e shtetit shqiptar. Duke iu referuar marrëdhënieve historike ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ai nënvizoi rolin e rëndësishëm që Britania ka luajtur në momente kyçe për mbrojtjen e pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke e paraqitur këtë si një dëshmi të një miqësie të vyer mes dy popujve. Në homazhin e tij për Kardinalin Ernest Simoni Troshani, Prof. Gurakuqi u shpreh: “Ju qëndroni sot para nesh si përfaqësuesi i fundit i gjallë i një gjenerate heroike që refuzoi të hiqte dorë nga besimi, ndërgjegjja dhe dinjiteti i saj.” Në përfundim, ai vlerësoi lart dëshminë e martirëve të Kishës Katolike Shqiptare dhe shprehu mirënjohjen ndaj Selisë së Shenjtë për njohjen e sakrificës së tyre, duke e konsideruar lumturimin e 38 martirëve shqiptarë si një akt të madh drejtësie historike dhe shpirtërore, që nderon kujtesën e atyre që dhanë jetën për fenë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

 

Në krah të Kardinalit ishin Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, z. Uran Ferizi, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, z. Ilir Kapiti, të cilët e shoqëruan ambasadorin përgjatë vizitës së tij në mbrëmjen e datës 10 qershor.

Gjatë qëndrimit në Pallatin e Westminsterit, Kardinal Ernest Simoni Troshani u lut gjithashtu në Kapelën e Shën Marisë së Kriptës (St Mary Undercroft), (https://www.parliament.uk/about/livingheritage/building/palace/estatehistory/the-middle-ages/chapel-st-mary-undercroft), kapela historike brenda kompleksit parlamentar.

Lutja dhe vizita në kapelë i dha vizitës një dimension të thellë shpirtëror, duke dëshmuar praninë e fesë në zemër të institucioneve britanike.

Më 11 qershor, Kardinali vizitoi një nga bashkësitë e “Motrave të Nënë Terezës” në Londër

ku kremtoi edhe Meshën e Shenjtë. Po atë mbrëmje ai vizitoi Seminarin Dioqezan “St. Thomas More”. Rektori i seminarit, Father John O’Leary, e priti Kardinalin për lutjen e Mbrëmësores dhe organizoi një darkë në nder të Tij.

Mesha e kardinalit në Katedralen e Westminster

Ditën e premte më 12 Qershor 2026, sipas një njoftimi paraprak ishte lajmëruar komuniteti shqiptar, për mbajtjen e meshës në Katedralen Historike të Westminister .

Mijëra shqiptarë u mblodhën në Katedralen ikonike të Westministerit, (https://westminstercathedral.org.uk/), të shumtë në numër e nga të gjithë anët e Uk, përfshi shumë syresh me veshje kombëtare. Kardinali si në të gjitha rastet ishte gjithmonë rreth gjysmë ore përpara, duke filluar me takime e bekime qysh në oborrin e katedrales.

Mrekullia e kësaj meshe ishte prania masive e rreth 3000 shqiptarëve. Kardinali drejtoi kremtimin e meshës, kurse në krah të tij qëndronin Dom Kastriot Gjoka, Monignor Artur Kola dhe Fr. Salwomir Witon, Dekan i Katedrales Westminister).

Kardinali dhe besimtarët shqiptarë u nderuar gjithashtu me praninë e autoriteteve të larta të Kishës Katolike Angleze, si Richard Moth, (Kryepeshkop i Westminister dhe President i Konferencës së Fretenve për Angli dhe Wells), Miguel Maury Buendia,( Kryepeshkopi dhe Nunci Apostolik i Vatikanit për Britaninë e Madhe).

Ky kremtim solemn u shndërrua në një dëshmi të gjallë të unitetit të Kishës dhe të besimit të komunitetit katolik shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas kryerjes së ritualeve fetare, Kardinali u dha bekimin personalisht të gjithë të pranishmit një për një.

Pas Meshës, organizatorët mbajtën një darkë solemne, e cila nisi me lutjen e Kardinalit dhe u ndanë mesazhe mirënjohjeje, bashkimi dhe vëllazërie.

Mesha e Manchesterit

Të shtunën më 13 Qershor 2026, ishte planifikuar një vizitë në Manchester, ku Kardinal Ernest Simoni Troshani kremtoi Meshën e Shenjtë dhe u takua me besimtarët e komunitetit katolik.

Shumë prej tyre u prekën thellë nga prania e tij dhe nga dëshmia e fortë e besimit që ka shoqëruar gjithë jetën e tij, veçmas gjatë periudhës komuniste dhe respektin që Kardinali gëzon në qytetin e shenjtë të Vatikanit.

Mesha ne Mayfair dhe Pimlico

Të dielën më 14 Qershor 2026, në ora 11, Kardinali vijoi vizitën e tij baritore në Kishën Katolike Jesuit Church of The Immaculate Conception, për të bashkëmeshuar.

Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar

Më pas në orën 4 në Pimlico, ku kremtoi Meshën e Shenjtë e u lut me besimtarët, duke dhëne bekimin e tij. Gjithashtu u kremtua Sakramenti i Pagëzimit për disa foshnja të komunitetit, duke e shndërruar këtë ditë në një moment hiri dhe gëzimi.

Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar  Kardinali Ernest Simoni Troshani viziton Mbretërinë e Bashkuar

Zhvillimi i kësaj vizite për ne si komunitet, ishte jo vetëm një bekim prej Zotit por edhe një fuqizim i komunitetit tonë në Britani të Madhe aq të përfolun hera herës. Prania e autoriteteve kishtare angleze, përfshi kreun e Kishës dhe Ambasadorin e Vatikanit në Britani si dhe besimtarë katolikë anglezë, të cilët ishin të pranishëm dhe morën bekimin e Kradinalit, u pa si respekt e mirënjohje për personalitetin e tij.

Falënderime të posaçme u adresojmë grupit organizator të Komunitetit Katolik Shqiptar të Britanisë së Madhe me në krye Monisg. Artur Kolën dhe Dom Kastriot Gjokën, Motrat e nderit Leonarda Pergega, Linda Pergega dhe Silva Jaku (SDS)

Falënderojmë përzemërsisht Prof Romeo Gurakuqin për prezantimin e tij në takimin e Parlamentit dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës të akredituar në Britani të Madhe.

Falënderojmë me mirënjohje  z. Gent Palaj, z. Anton Kooll Kaçubaj, z. Dorian Lula, z. Gjergj Rakaj, z Çesk Sterkaj, znj Lirka Kadriu, z. Ardi Mujaj, gazetarin Martin Kiri, muzikanten Mariela Çingo, znj. Alma Panajoti, z. Kujtim Hasani dhe të gjithë organizatorët e Komunitetit Katolik Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, per organizimin dhe mbarëvajtjen e vizitës së Kardinal Ernest Troshani Simoni.

Londër, Qershor 2026

 

Të fundit