Flash News

E-TJERA

“Shqipëria nuk është në shitje”, revista franceze jehonë protestave: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

“Shqipëria nuk është në shitje”, revista

Ndërtimi i një resorti luksoz nga një kompani e lidhur me familjen Trump në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin shqiptar ka shkaktuar reagime të forta.

Mijëra persona marshuan të shtunën në mbrëmje në Tiranë, për të gjashtën ditë radhazi, kundër planit për ndërtimin e një resorti luksoz nga një kompani e lidhur me familjen Trump në një rezervat natyror në bregdetin shqiptar.

Protestat kundër këtij projekti, me vlerë të përllogaritur rreth 4 miliardë euro dhe të lidhur me vajzën e Donald Trump, Ivanka Trump, dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, po marrin përmasa më të mëdha në vendin ballkanik.

Duke valëvitur flamuj shqiptarë dhe duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Ivanka, shko në shtëpi” ose “Shqipëria nuk është në shitje”, disa prej të cilave ishin firmosur nga “Gen Z”, protestuesit marshuan në qendër të qytetit dhe u ndalën para selisë së qeverisë, ku kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kjo ishte protesta më e madhe që nga tubimi i parë i zhvilluar të hënën në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri akuzon “forca të huaja”

I akuzuar nga protestuesit se po favorizon investitorët në dëm të interesave të vendit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të heqë dorë nga projekti dhe ka akuzuar “forca të huaja” për nxitjen e protestave.

Ai deklaroi të premten se “nuk ka arsye për t’u shqetësuar” dhe se projekti ende nuk është miratuar përfundimisht. Rama theksoi se “ekspertët më të mirë në botë” janë angazhuar për vlerësimin e tij dhe se synimi është “krijimi i diçkaje unike”.

Më herët gjatë së njëjtës ditë, disa qindra persona u mblodhën në lagunën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, rreth 150 kilometra në jugperëndim të Tiranës, pikërisht në zonën ku ditët e fundit kishin nisur përgatitjet për një kantier ndërtimi, duke shkaktuar reagime të forta.

“E gjithë kjo hapësirë detare është një zonë e mbrojtur. Shkatërrimi i saj do të ishte fatal për biodiversitetin”, tha për AFP Emiljona Puja, e punësuar në sektorin financiar.

Në një plazh me rërë përballë ujërave të kaltra, disa protestues mbanin flamingo rozë prej plastike ose të punuara me letër – të kthyer tashmë në simbol të lëvizjes – ndërsa brohorisnin: “Anuloni projektin!”

Zona ku jetojnë shumë shpendë migratorë

Në këtë zonë kanë ndodhur përplasje edhe gjatë një proteste të parë në fund të majit, pas vendosjes së telave me gjemba për të kufizuar hapësirën, të cilët më pas u hoqën, si dhe pas publikimit në internet të videove ku shfaqeshin fadroma në plazh.

Laguna bregdetare e Vjosë-Nartës është habitat për shumë shpendë migratorë, përfshirë flamingot rozë.

“Problemi nuk lidhet vetëm me transparencën e këtij procesi, por edhe me faktin se gjithçka është zhvilluar duke shpërfillur plotësisht rëndësinë mjedisore të kësaj zone”, tha Denisa Kasa, aktiviste e organizatës shqiptare për mbrojtjen e mjedisit PPNEA.

Ajo e cilësoi zonën si “një nga vendet më të rëndësishme të biodiversitetit në Mesdhe”.

Jared Kushner kishte konfirmuar në mars të vitit 2024 një plan investimi për ta kthyer ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake sekrete në det të hapur pranë lagunës, në një destinacion turistik luksoz.

Pas vizitave të Ivanka Trump në zonë gjatë këtij dimri, së bashku me investitorë, kanë nisur gjithashtu diskutimet për ndërtimin e hoteleve luksoze në zonën e lagunës së Vjosë-Nartës.

Protestë edhe në Paris

Të dielën, nën një mot të kthjellët pranveror, disa qindra shqiptarë që jetojnë në Francë u mblodhën në sheshin Joachim-du-Bellay, në zonën e parë të Parisit.

Mes thirrjeve të protestuesve, të cilët kërkonin të mbronin të drejtat e qytetarëve përballë zhvilluesve të mëdhenj, shumë slogane iu drejtuan drejtuesve shqiptarë, të akuzuar prej tyre se po “shesin” Shqipërinë dhe nuk po respektojnë vullnetin e popullit./ Paris Match

Të fundit