Flash News

E-TJERA

Antimafia italiane godet rrjetin e pastrimit të parave, baza e rrjetit shtrihej në Itali e Kosovë

Antimafia italiane godet rrjetin e pastrimit të parave, baza e rrjetit

Autoritetet italiane kanë zbuluar një skemë të sofistikuar të krimit të organizuar që lidhet me pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës, ku rreth 18 milionë euro dyshohet se janë transformuar në shufra ari për të fshehur origjinën e tyre.

Operacioni, i zhvilluar në Itali dhe Kosovë, ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 2 milionë euro dhe ka zbuluar një rrjet që operonte në disa shtete europiane, përfshirë Francën, Italinë dhe vende të tjera të rajonit.

Sipas autoriteteve hetimore italiane, rrjeti kriminal dyshohet se ka përdorur një metodë të sofistikuar, duke mbledhur paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe duke i konvertuar më pas në ar fizik, me qëllim vështirësimin e gjurmimit të tyre dhe transportimin jashtë vendit.

Hetimet kanë identifikuar edhe persona të dyshuar me bazë në Itali dhe Kosovë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në qarkullimin e parave dhe transformimin e tyre në metale të çmuara, me ndihmën e strukturave të specializuara në përpunimin e arit në Lombardi dhe Piemonte.

Sipas dosjes hetimore, një pjesë e konsiderueshme e parave dyshohet se ka ardhur nga trafiku i drogës në Francë, ndërsa operacioni i fundit lidhet edhe me një hetim të mëparshëm që kishte çuar në sekuestrime të mëdha pasurie në vitin 2025.

Autoritetet italiane theksojnë se hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë rrjetin dhe për të gjurmuar pasuritë e fshehura në disa shtete.

Të fundit