Flash News

E-TJERA

Gjykata liron shumicën e protestuesve, vetëm dy në "arrest shtëpie"; Avokati: Arrestimet ishin politike

Gjykata liron shumicën e protestuesve, vetëm dy në "arrest

Gjykata ka dhënë vendimin për 19 qytetarët e arrestuar gjatë protestës masive kundër qeverisë, duke mos pranuar në pjesën më të madhe kërkesat e Prokurorisë për masa të rënda sigurie.

Pas një seance maratonë, trupi gjykues vendosi që vetëm dy prej të ndaluarve të qëndrojnë në masën “arrest shtëpie”, ndërsa për 17 të tjerët u caktua masa “detyrim paraqitje”.

Një nga avokatët mbrojtës , Dorian Matliaj, bëri të ditur se Prokuroria kishte kërkuar fillimisht “arrest me burg” për tre persona, ndërsa më pas ndryshoi kërkesën për njërin prej tyre në “arrest shtëpie”. Sipas tij, gjykata nuk i pranoi këto kërkesa, duke lënë në arrest shtëpie vetëm shtetasit me mbiemrat Bardhi dhe Gega.

Avokati kundërshtoi gjithashtu ligjshmërinë e arrestimeve, duke i cilësuar ato politike dhe të pambështetura në prova konkrete, edhe pse gjykata i konsideroi ato të ligjshme për efekt të procedurës penale.

“Për 19 personat e arrestuar nga protesta, prokuroria fillimisht kërkoi ‘arrest me burg’ për 3 prej tyre, dhe më pas ndryshoi qëndrim duke kërkuar ‘arrest në shtëpi’ për njërin. Për të gjithë të tjerët u kërkua masa ‘detyrim paraqitje’. Pas debateve të gjata, gjykata vendosi që vetëm dy persona të qëndrojnë në masën ‘arrest shtëpie’, konkretisht shtetasit me mbiemrat Bardhi dhe Gega,” deklaroi avokati përpara gazetarëve.

“Gjykata e konsideroi arrestimin të ligjshëm në parim për efekt procedure, por në këndvështrimin tonë profesional dhe kushtetues, për shumicën dërrmuese të këtyre djemve arrestimi ishte plotësisht i paligjshëm dhe pa asnjë provë konkrete,” përfundoi avokati.

 

 

 

Të fundit