Flash News

E-TJERA

Protestuesit marshojnë sot te Gjykata e Tiranës: Lironi çunat!

Protestuesit marshojnë sot te Gjykata e Tiranës: Lironi çunat!

Pas protestës masive të së shtunës, organizatorët, aktivistët dhe qytetarët do të marshojnë sot te Gjykata e Tiranës, rreth orës 9:00.

Tubimi i sotëm do të zhvendoset përpara Gjykatës së Tiranës, e cila ndodhet pranë strukturës së SPAK-ut, pikërisht në momentin kur pritet të jepen masat e sigurisë për protestuesit e arrestuar në 2 korrik.

Ky reagim vjen pas përplasjeve të forta të shënuara të enjten gjatë seancës plenare, ku protestuesit hodhën gurë dhe vezë drejt policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.

Pas bllokimit të daljeve të Parlamentit dhe tensioneve që u zhvendosën në disa rrugë të kryeqytetit, policia shoqëroi 18 persona dhe arrestoi 9 prej tyre, duke lënë të lënduar si nga radhët e efektivëve, ashtu edhe nga qytetarët.

Organizatorët i konsiderojnë këto arrestime plotësisht të paligjshme dhe politike.

Marshimi i sotëm, i cili pritet të nisë përpara gjykatës, është vijimësi e drejtpërdrejtë e qëndresës së nisur që mbrëmjen e djeshme.

Pas tubimit qendror, qytetarët marshuan deri pas mesnate përpara Komisariatit Nr. 3 në rrugën “Mine Peza” me thirrjet e vazhdueshme “lironi çunat tanë”.

Ky rit solidarizimi do të kulmojë sot përpara togave të zeza, ku kërkesa e vetme mbetet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarve.

 

Të fundit