Flash News

E-TJERA

Temperaturat ekstreme, IGJEUM: Alarm i kuq për zjarre në 3 qarqe!

Temperaturat ekstreme, IGJEUM: Alarm i kuq për zjarre në 3 qarqe!

Rreziku për zjarre në pyje mbetet i lartë në disa zona të vendit, edhe pse temperaturat këtë javë pritet të jenë disi më të ulëta se ato të javës së kaluar. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), tre qarqe ndodhen në nivelin më të lartë të rrezikut për përhapjen e flakëve.

Në vlerësimin e fundit, IGJEUM ka vendosur në alarm të kuq qarqet e Lezhës, Durrësit dhe Fierit, ku kombinimi i motit të nxehtë dhe mungesa e reshjeve kanë krijuar kushte të favorshme për shpërthimin e zjarreve.

Ndërsa pjesa tjetër e territorit paraqitet kryesisht me rrezik të moderuar, në disa zona të qarqeve Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Vlorë niveli i rrezikut rritet në të lartë, veçanërisht në zonat pyjore dhe kodrinore.

Meteorologët parashikojnë reshje të izoluara gjatë pasdites së të martës dhe të mërkurës, kryesisht në zonat malore. Megjithatë, ato pritet të jenë të shkurtra dhe me shtrirje të kufizuar, ndaj nuk konsiderohen një faktor që mund të ulë ndjeshëm rrezikun e zjarreve.

Edhe pse vendi do të përjetojë një lehtësim të vogël të vapës, temperaturat maksimale do të vijojnë të jenë të larta, duke arritur deri në 34 gradë Celsius në zonat e ulëta. Gjatë orëve të natës, termometri nuk pritet të zbresë nën 19 gradë Celsius, ndërsa nga fundjava pritet një tjetër rritje graduale e temperaturave.

Të fundit