Flash News

E-TJERA

Messi përballë Salah, dueli i dy legjendave për një vend në çerekfinale të Botërorit

Messi përballë Salah, dueli i dy legjendave për një vend

Argjentinë-Egjipt nuk do të jetë vetëm një përballje për një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, por edhe një duel mes dy prej figurave më të mëdha të futbollit të dekadave të fundit: Lionel Messi dhe Mohamed Salah.

Dy yjet do të përballen të martën në Atlanta, në orën 18:00, në një ndeshje që mund të jetë ndër të fundit në skenën botërore për Messin, ndërsa Salah ende shpreson të jetë pjesë e Botërorit të vitit 2030.

Messi, 39 vjeç, mbërrin në këtë takim me një histori të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Kapiteni argjentinas ka fituar trofeun më të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar dhe mban rekorde të turneut, duke qenë golashënuesi më i mirë në histori dhe lojtari me më shumë paraqitje në Botëror. Ai është gjithashtu mes golashënuesve kryesorë të këtij edicioni.

Për Salah, rruga në Botëror ka qenë shumë më e vështirë. Kapiteni egjiptian po luan turneun e tij të tretë, por vetëm këtë herë ka arritur fazën me eliminim direkt. Egjipti ka shkruar historinë duke siguruar për herë të parë një vend në 16 më të mirat.

Gjatë karrierës së tij me kombëtaren, Salah ka përjetuar edhe zhgënjime të mëdha, përfshirë humbjet në finalet e Kupës së Afrikës në vitet 2017 dhe 2021. Ai ka pasur gjithashtu përplasje publike me Federatën Egjiptiane të Futbollit për çështje si të drejtat e imazhit, organizimi i udhëtimeve dhe drejtimi i ekipit.

Megjithatë, këtë Botëror ai ka mundësinë të shkruajë një kapitull të ri. Penalltia e ekzekutuar në stilin “Panenka” në fitoren me Australia-n në fazën e 1/32-ve i dha Egjiptit kualifikimin historik dhe tashmë Salah kërkon momentin më të madh të karrierës së tij në skenën botërore.

Përballja me Messin është një sfidë mes dy epokave të futbollit: një kampion bote që kërkon një kapitull të fundit legjendar dhe një yll afrikan që synon të çojë vendin e tij përtej çdo pritshmërie.

Të fundit