Flash News

E-TJERA

Fierza zbret në nivelin më të ulët të javëve të fundit, shkak thatësira

Fierza zbret në nivelin më të ulët të javëve

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë sjellë rënie të ndjeshme të prurjeve në kaskadën e lumit Drin, duke ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin vendas të energjisë elektrike.

Liqeni i Fierzës ka pësuar një ulje të nivelit të ujit, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare po menaxhon me kujdes rezervat hidrike dhe po i drejtohet importit për të siguruar furnizimin gjatë periudhës së verës.

Sipas të dhënave nga HEC Fierzë, prurjet aktuale janë rreth 35 metra kub ujë në sekondë, ndërsa kuota e liqenit ka zbritur në 292.16 metra mbi nivelin e detit. Kjo përbën një rënie me afro 4 metra krahasuar me mesin e muajit qershor.

Në hidrocentralin e Fierzës aktualisht është në funksion vetëm një agregat, ndërsa tre të tjerët mbahen në gatishmëri. Prodhimi ditor llogaritet rreth 110 megavat/orë, në kuadër të ruajtjes së rezervave ujore.

Nëse temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve do të vijojnë, menaxhimi i burimeve hidrike dhe sigurimi i energjisë përmes importit pritet të mbeten sfidat kryesore për periudhën në vazhdim.

Të fundit