Flash News

E-TJERA

"15 mijë paund për një vend", The Sun: Bandat shqiptare kontrabandojnë emigrantë drejt Britanisë me superjahte luksoze

"15 mijë paund për një vend", The Sun: Bandat shqiptare

Gazeta britanike The Sun pretendon se banda shqiptaro-britanike të trafikimit të emigrantëve kanë nisur të përdorin jahte luksoze për të transportuar persona ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur kontrollet më të rrepta që zbatohen në portet kryesore.

"15 mijë paund për një vend", The Sun: Bandat shqiptare

Sipas investigimit të publikuar nga tabloidi britanik, trafikantët reklamojnë udhëtimet përmes rrjetit social TikTok, ndërsa komunikimi me klientët vijon në WhatsApp. Gazetarët e The Sun thonë se u paraqitën si një shtetas shqiptar i dëbuar më parë nga Britania, duke pretenduar se kishin vuajtur dënim në burgun e Wandsworth.

Sipas artikullit, pasi u bindën për identitetin e tyre, trafikantët u ofruan një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda drejt brigjeve pranë Doverit, kundrejt një pagese prej 15.500 paundësh, e cila, sipas tyre, duhej të dorëzohej në Shqipëri.

Një nga personat me të cilët komunikuan gazetarët pretendonte se kishte vuajtur dënim në Britani për trafik droge dhe se në udhëtim do të ndodheshin edhe persona të tjerë të dëbuar më parë nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas tij, jahti kishte kapacitet për rreth dhjetë pasagjerë dhe drejtohej nga shtetas shqiptarë.

The Sun shkruan gjithashtu se trafikantët pretendojnë se kanë transportuar me sukses emigrantë drejt Britanisë edhe ditët e fundit, ndërsa pas mbërritjes, ata merren nga persona të tjerë dhe dërgohen në Londër.

Artikulli vjen pasi, sipas të dhënave të cituara nga tabloidi, mbi 4.600 persona të dëbuar nga Britania janë rikthyer në vend gjatë pesë viteve të fundit. Më shumë se një e treta e rasteve, sipas këtyre shifrave, i përkasin shtetasve shqiptarë.

"15 mijë paund për një vend", The Sun: Bandat shqiptare

Pas publikimit të investigimit, The Sun njofton se raportoi llogarinë në TikTok, e cila u mbyll për shkelje të rregullave që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore. Gazeta shton se dosja me gjetjet e saj do t'i dorëzohet edhe Agjencisë Kombëtare Britanike të Krimit (NCA).

Në artikull përmenden edhe raste të fundit të goditura nga autoritetet britanike, ku jahte të përdorura për trafik emigrantësh janë ndaluar në brigjet e Anglisë dhe organizatorët janë arrestuar ose dënuar me burg.

Të fundit