Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Regjimi i Ramës, diktatura e dytë më shkatërrimtare në historinë e kombit shqiptar

Berisha: Regjimi i Ramës, diktatura e dytë më shkatërrimtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama se përfaqëson, sipas tij, një “diktaturë të dytë” në Shqipëri, duke e krahasuar me periudhën e komunizmit.

Deklaratat Berisha i bëri gjatë një takimi të organizuar nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë në PD me temë “Krimi të mos bëhet harrim”.

Berisha u ndal te figura të regjimit komunist, duke përmendur edhe babain e kryeministrit Rama, Kristaq Rama, për të cilin pretendoi se kishte firmosur vendime ekzekutimi gjatë periudhës së komunizmit.

Ai solli si shembull rastin e poetit Havzi Nela, duke deklaruar se dënimi i tij ishte një nga aktet më të rënda të asaj periudhe.

“Kristaq Rama ishte njeriu që firmosi për varjen e Havzi Nelës, një poet kolos, i cili vargjet e tij ia kushtonte të drejtave të njeriut”, deklaroi Berisha.

Më tej, kreu i PD-së solli edhe raste të tjera të të dënuarve gjatë komunizmit, duke pretenduar se vendimet e ekzekutimit ishin marrë për të terrorizuar zona të caktuara të vendit.

Duke e lidhur të kaluarën komuniste me zhvillimet e sotme politike, Berisha tha se sipas tij ekziston i njëjti “moral” në mënyrën e trajtimit të figurave publike.

Ai kritikoi gjithashtu disa dekorime dhe vlerësime të dhëna nga institucionet shqiptare, duke përmendur rastet e Ergys Agasi dhe Jurgis Çyrbja, për të cilët ngriti akuza të forta politike.

“Është i njëjti moral. Sot Shqipëria nuk mund të ketë skuadra pushkatimi, nuk mund të ketë kampe internimi, por në rrafshin politik ngjan me Shqipërinë e dikurshme”, u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, Berisha deklaroi se Shqipëria po përjeton, sipas tij, një situatë më të rëndë se periudhat e mëparshme, duke e akuzuar qeverinë për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.

“Kjo diktaturë e dytë në disa aspekte është regjimi më shkatërrimtar i kombit shqiptar në histori”, tha Berisha, duke shtuar se largimi i qytetarëve nga Shqipëria është më i madh se emigrimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.

Të fundit