Flash News

E-TJERA

Apeli Administrativ rikthen për rishqyrtim në KLP kërkesën për masë ndaj prokurores Anjeza Kalanxhi

Apeli Administrativ rikthen për rishqyrtim në KLP kërkesën

Gjykata Administrative e Apelit vendosi më 24 mars të shfuqizojë një vendim të KLP-së për rrëzimin e kërkesës së ILD-së që t’i vendosej masë disiplinore prokurores Anjeza Kalanxhi. ILD pretendon se Kalanxhi ka nënshkruar një ankesë lidhur me një vendimmarrje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për një çështje që ajo hetonte, por e ka nënshkruar në cilësinë e drejtueses së seksionit. Po ashtu, si shkelje tjetër pretendohet se ankesa, e cila u është drejtuar disa institucioneve të drejtësisë dhe një ambasade të huaj në Tiranë, është shoqëruar me mbi 20 akte të dosjes hetimore.

Pas njohjes edhe me kundërshtitë e prokurores Kalanxhi, KLP e rrëzoi më 2 tetor të vitit të kaluar kërkesën e ILD-së për të caktuar masë disiplinore ndaj magjistrates. ILD e kundërshtoi vendimin e KLP-së, padi që u gjet e drejtë nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila e shfuqizoi vendimmarrjen dhe caktoi detyra për këshillin.

Sipas Gjykatës, KLP duhet të zhvillojë një analizë të plotë dhe të drejtpërdrejtë mbi rrethanat konkrete të konstatuara, duke vlerësuar lidhur me përgjegjësinë funksionale të magjistratit; të shmangë zhvendosjen e analizës drejt elementëve të tjerë që nuk lidhen drejtpërdrejt me objektin; të interpretojë dispozitat ligjore; të zhvillojë një arsyetim të plotë dhe të qartë; si dhe të vlerësojë në mënyrë të argumentuar raportin ndërmjet rrethanave dhe pasojës disiplinore.

Gjatë seancës të zhvilluar të hënën më 1 qershor, ILD u qëndroi pretendimeve dhe kërkimit për pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores Kalanxhi dhe caktimin e masës “Vërejtje publike”.

Prokurorja Anjeza Kalanxhi ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur si pasojë e deklarimit nga ana e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore gjatë një seance caktimi mase sigurimi ndaj tij, se një masë sigurimi e mëparshme që i ishte caktuar do t’i ndryshohej nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të nesërmen, duke e nxjerrë atë nga burgu. Lidhur me dërgimin e ankesës edhe pranë ambasadës së huaj, Kalanxhi ka argumentuar gjatë seancave në KLP se ka vlerësuar ta ndajë edhe aty, pasi kjo përfaqësi u ka qëndruar gjithmonë pranë dhe i ka mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Kalanxhi ka kundërshtuar të ketë nxjerrje të sekretit hetimor, si dhe ka sjellë në vëmendje faktin se nuk ka pasur një vendim të gjykatës për ndalimin e publikimit të akteve që kishin të bënin me caktimin e masës së sigurisë. Sipas saj, aktet u janë njohur më parë palëve.

Edhe gjatë seancës të hënën ajo u qëndroi argumenteve të saj, si dhe i cilësoi të padrejta arsyetimet e Gjykatës Administrative e Apelit. Ajo konstatoi se e kishte ngritur shqetësimin në institucionet përkatëse për arsye të lirimit të një individi me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu, ripërsëriti qëndrimin se te ambasada e kishte dërguar një kopje të ankesës, pasi kjo përfaqësi diplomatike ka qenë pjesë e mjaft proceseve që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.

Lidhur me pretendimin për vendosjen e vulës, Kalanxhi argumentoi se mund të përdoret nga çdo prokuror, pasi nuk është e titullarit.

Në përfundim, Kalanxhi tha se nuk qëndronte asnjë prej shkeljeve të pretenduara nga ana e ILD-së dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës për hetim disiplinor dhe caktimin e masës ndaj saj. KLP do të bëjë me dije vendimmarrjen më datë 7 korrik. Reporter.al

Të fundit