Flash News

E-TJERA

Ish-deputetja socialiste godet Ramën: Merresh me numrin e protestuesve, jo me shqetësimet e tyre

Ish-deputetja socialiste godet Ramën: Merresh me numrin e protestuesve, jo

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Edi Rama për mënyrën se si po trajtohen protestat e qytetarëve, duke argumentuar se vëmendja e qeverisë është përqendruar më shumë te numri i pjesëmarrësve sesa te arsyet që i kanë nxjerrë ata në rrugë.

Në reagimin e saj, Meksi vëren se Rama i ka kushtuar rëndësi madhësisë së protestës, mënyrës së pasqyrimit në media dhe ndikimit të rrjeteve sociale në formësimin e opinionit publik.

Sipas saj, megjithëse këto janë tema të rëndësishme, ato nuk mund të zëvendësojnë debatin mbi çështjet që protestuesit po ngrenë.

Ajo thekson se qytetarët po kërkojnë përgjigje për transparencën, korrupsionin, konsultimin publik, pronësinë dhe ndikimin mjedisor të projekteve që prekin interesin publik, ndërsa qeveria vijon ta paraqesë debatin si të parakohshëm me argumentin se projekti në fjalë ende nuk ekziston.

REAGIMI:

A po dëgjohen nga qeveria protestuesit?

Reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X i kushton shumë vëmendje madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo paraqitet në media, si dhe rolit që mund të luajnë dezinformimi, amplifikimi dixhital dhe rrjetet sociale në formësimin e perceptimeve publike.

Këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne.

Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit.

Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”. Ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe: “Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur.”

Në fakt, është kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.

Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.
Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.

Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin.

Të fundit