Flash News

E-TJERA

Kupa e Botës 2026 me rregulla të reja dhe rekord pjesëmarrjeje, çfarë ndryshon në turneun historik

Kupa e Botës 2026 me rregulla të reja dhe rekord pjesëmarrjeje,

Kupa e Botës 2026 po afrohet dhe do të nisë më 11 qershor, duke u zhvilluar deri më 19 korrik në një edicion historik që për herë të parë organizohet në tre vende njëkohësisht: Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika.

Turneu do të shpërndahet në 16 qytete pritëse, ndërsa gjithsej do të luhen 60 ndeshje. Fazat finale, përfshirë çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen, do të zhvillohen në SHBA, ndërsa Kanadaja dhe Meksika do të presin nga 10 ndeshje secila.

Por vëmendja më e madhe është përqendruar te ndryshimet e reja të rregullave të miratuara nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), të cilat pritet të aplikohen për herë të parë në këtë Botëror.

Një nga ndryshimet më të forta lidhet me komunikimin në fushë: lojtarëve nuk do t’u lejohet më të mbulojnë gojën gjatë bisedave gjatë ndeshjes. Shkelja e këtij rregulli mund të ndëshkohet me karton të kuq, me synim rritjen e transparencës dhe parandalimin e komunikimeve të dyshimta.

Ndryshime të rëndësishme prekin edhe sistemin VAR, i cili do të ketë kompetenca më të gjera në rishikimin e episodeve, përfshirë goditjet nga këndi të dhëna gabim, situatat para golave apo penalltive dhe kartonët e kuq të gabuar pas dy të verdhave.

Risi të tjera përfshijnë rregulla më të rrepta për zëvendësimet, ku lojtarët duhet të largohen shpejt nga fusha, si dhe masa ndaj vonesave gjatë rivënieve anësore dhe goditjeve nga këndi.

Po ashtu, lojtarët e dëmtuar që marrin trajtim në fushë do të duhet të dalin për një periudhë të shkurtër, përveç rasteve të veçanta, ndërsa sjelljet protestuese ndaj gjyqtarëve mund të ndëshkohen më ashpër se më parë.

Në aspektin organizativ, për shkak të temperaturave të larta në vendet pritëse, ndeshjet do të kenë edhe pauza të shkurtra freskuese.

Turneu i vitit 2026 do të jetë gjithashtu i pari me 48 kombëtare pjesëmarrëse, të ndara në 12 grupe, ku dy ekipet e para dhe tetë skuadrat më të mira të vendeve të treta do të kalojnë në fazën me eliminim direkt.

Kupa e Botës 2026 pritet të sjellë gjithashtu përdorim të zgjeruar të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, nga sistemi gjysmë-automatik i pozicionit jashtë loje deri te analizat taktike dhe kamerat trupore të gjyqtarëve.

Të fundit