POLITIKOFF

Shalqiri, aleati i zemrës në verë

Shalqiri, aleati i zemrës në verë

Një fetë shalqiri në ditët e nxehta të verës nuk shërben vetëm për t’u freskuar. Sipas studimeve të fundit, ky frut mund të sjellë përfitime të rëndësishme për shëndetin, veçanërisht për zemrën dhe sistemin kardiovaskular.

Kërkimet kanë treguar se personat që konsumojnë rregullisht shalqi marrin sasi më të larta të lëndëve ushqyese si fibra, kalium, magnez, vitaminë C dhe vitaminë A. Përveç kësaj, shalqiri është një burim i rëndësishëm i likopenit dhe karotenoideve, antioksidantë që lidhen me mbrojtjen e organizmit nga dëmtimet qelizore.

Studime të publikuara së fundmi sugjerojnë se konsumimi i shalqirit mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës. Ekspertët e ushqyerjes theksojnë se përbërës si kaliumi, likopeni dhe citrulina mund të ndihmojnë në rregullimin e tensionit të gjakut dhe përmirësimin e qarkullimit.

Një nga elementët më të studiuar të këtij fruti është L-citrulina, një aminoacid që lidhet me prodhimin e oksidit nitrik në organizëm. Ky proces ndihmon në relaksimin dhe zgjerimin e enëve të gjakut, duke favorizuar një qarkullim më të mirë dhe potencialisht uljen e tensionit arterial.

Ekspertët vlerësojnë se efektet pozitive janë më të dukshme kur shalqiri bëhet pjesë e një regjimi ushqimor të balancuar dhe të shëndetshëm. Përveç ndikimit në zemër, konsumimi i tij është lidhur edhe me përmirësimin e tretjes, reduktimin e inflamacionit, uljen e rezistencës ndaj insulinës dhe lehtësimin e dhimbjeve muskulore pas aktivitetit fizik.

Me përmbajtje të lartë uji dhe pak kalori, shalqiri mbetet një nga frutat më të rekomanduara për hidratim dhe ushqyerje gjatë muajve të verës.

Të fundit