Ditari i Opozitës

Berisha në Kuvend: Zvërneci po jepet pa transparencë, Rama fshihet nga përgjegjësia

Berisha në Kuvend: Zvërneci po jepet pa transparencë, Rama

Në një fjalë të mbajtur në Kuvend, kreu i opozitës, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe për fshehje të përgjegjësisë në vendimmarrje, veçanërisht për projektet e mëdha në zonën e Zvërnecit.

Berisha e cilësoi kryeministrin si “kreun e Meduzës” dhe tha se ai nuk përballet në Kuvend për të dhënë llogari, por sipas tij fshihet pas përfaqësuesve të qeverisë dhe strukturave të saj, duke e konsideruar këtë një praktikë antikushtetuese dhe antiligjore.

Ai ngriti shqetësime për mënyrën se si po trajtohen tokat dhe investimet në bregdet, duke përmendur edhe Zvërnec, ku sipas tij nuk ka transparencë mbi projektet disa miliardëshe, mungojnë studimet mjedisore dhe konsultimet publike, si dhe nuk janë bërë të qarta parametrat e zhvillimit apo ndikimi në zonat e mbrojtura sipas standardeve europiane.

Berisha akuzoi gjithashtu zyrtarë të administratës, duke përmendur Pjerin Ndreu dhe sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi, të cilët i lidhi me çështje pronash dhe vendimmarrjesh në territor, duke pretenduar se përfshirja e tyre tregon një sistem të mungesës së kontrollit mbi pronën publike dhe interesat strategjike.

Ai shtoi se çdo projekt në zona të mbrojtura duhet të jetë në përputhje me direktivat europiane si Natura 2000 dhe të shoqërohet me studime të plota mjedisore dhe konsultim real me komunitetin, përfshirë banorët që, sipas tij, kanë kontribuar për dekada në mirëmbajtjen e territorit.

Në fund, Berisha kërkoi më shumë transparencë dhe debat të hapur parlamentar për të gjitha projektet strategjike në vend, duke e konsideruar situatën aktuale si mungesë të rëndë llogaridhënieje institucionale.

Të fundit