Flash News

KRYESORE

Nga arrestimi te 95% e tokave të humbura, Jamarbër Malltezit rrëfen historinë e një beteje të gjatë ligjore dhe politike

Nga arrestimi te 95% e tokave të humbura, Jamarbër Malltezit

Jamarbër Malltezi ka folur gjatë për dosjen e njohur “Partizani”, akuzat ndaj tij dhe Sali Berishës, si dhe për atë që ai e cilëson si “proces tërësisht politik” të drejtësisë në Shqipëri.

 Një betejë e gjatë historike, juridike dhe politike është zbardhur së fundmi në një libër të ri nga Jamarbër Malltezi, i cili hedh dritë mbi kalvarin e pronarëve të vjetër të Tiranës.

Në pjesën e dytë të intervistës në emisionin “Pasvon” me Alfred Lelën, Malltezi ka denoncuar me dokumente atë që ai e quan një proces të montuar politikisht, duke akuzuar drejtpërdrejt Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe gjyqësorin për të paktën 35 falsifikime të rënda gjatë procesit kundër tij dhe familjes së tij.

“Prokurorët politikë krijuan narrativën që u shërbente, atë që u dha regjia atyre për të thënë”, shprehet Malltezi gjatë intervistës, duke shtuar se hetimi është ndërtuar mbi baza të qëllimshme politike dhe jo mbi prova penale.

Historia e grabitjes së pronave, siç u theksua gjatë bisedës, nis që me pushtimin italian ku tokat u morën me rekuizim ushtarak, vazhdon me sekuestrimet masive nga regjimi komunist, dhe kulmon sot me atë që u cilësua si një "drejtësi e kapur".

Sipas tij, prokurorët dhe gjyqtarët, përfshirë emra si Irena Gjoka, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj, po veprojnë nën urdhrat e drejtpërdrejtë politikë të kryeministrit Edi Rama dhe eksponentëve si Taulant Balla, i cili ka bërë kallëzimin fillestar.

Ai shkon më tej duke deklaruar se vendimmarrja në çështjen e tij është ndikuar politikisht: “Ky është një ndërthurje e presionit politik”, duke përmendur edhe deklarata publike të aktorëve ndërkombëtarë dhe politikë në vend.

Arrestimi dhe procedurat e debatueshme
Në intervistë, Malltezi ndalet edhe te momenti i arrestimit të tij, të cilin e përshkruan si të paligjshëm dhe të papërgatitur ligjërisht.

“I kam thënë qytetarëve: ky është rrëmbim personi, pa letër, pa mandat”, deklaron ai, duke shtuar se në momentin e ndalimit nuk iu është paraqitur dokumentacioni përkatës.

Ai pretendon gjithashtu se ndaj tij është përdorur masë e ashpër pa u marrë më parë në pyetje: “Asnjëherë nuk më kanë pyetur”, thotë Malltezi.

Çështja e pronave dhe historia familjare

Ndërkohë, familjeve themeluese të Tiranës si Begeja, Toptani, Petrela dhe Llagami u janë kthyer më pak se 5% e pronave të tyre legjitime, ndërsa qindra mijëra metra katrorë të tjera mbeten të pakthyera dhe të pakompensuara.

Përveç betejës ligjore, një tjetër skandal i ngritur është shkatërrimi urban i Bulevardit të Ri të Tiranës. Zonat ku ndodhen pronat e prapambetura të këtyre familjeve, të cilat sipas projektit fillestar të studios "Grimshaw" duhej të kishin hapësira të mëdha rekreative, kinema, pishina dhe korridore ekologjike me rreshta të dyfishtë pemësh, po përdoren për të ndërtuar një geto të re betoni.

Sipas tij, pjesa më e madhe e pronave nuk është kthyer ende: “95% e tokave vijojnë të vjedhura”, ndërsa shton se familja ka marrë vetëm një pjesë të vogël të tyre.

Ai sjell gjithashtu të dhëna historike, duke përmendur se familja ka pasur “mbi 950 mijë metra katrorë troje në Tiranë”, ndërsa sot është kthyer “më pak se 5% e tyre”.

Debati politik që shoqëron çështjen
Malltezi lidh ngushtë procesin gjyqësor me zhvillimet politike në vend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndikim në sistemin e drejtësisë.

“Narrativën e përcakton Edi Rama”, shprehet ai, duke pretenduar se institucionet kanë vepruar sipas urdhrave politikë dhe jo mbi bazë të ligjit./Politiko.al

Ndiq intervistën e plotë:

 

Të fundit