Flash News

SPORT

Shpenzoi 6 mijë dollarë për të parë Messin, por mbeti jashtë stadiumit

Shpenzoi 6 mijë dollarë për të parë Messin, por mbeti

Ajo që duhej të ishte një surprizë e paharrueshme për një tifoz të zjarrtë të Lionel Messit u kthye në një zhgënjim të madh për një familje nga Meksika.

Sergio Enrique Alvarado Montalvo shpenzoi 1,700 dollarë për dy bileta të blera përmes platformës StubHub, me qëllimin për t'i dhuruar të atit mundësinë të ndiqte nga afër ndeshjen Argjentinë-Austri në Kupën e Botës 2026. Përveç biletave, ai pagoi edhe mijëra dollarë të tjerë për fluturimet dhe akomodimin e familjes në Dallas.

Megjithatë, vetëm një ditë para nisjes, ai mori njoftimin se shitësi nuk ishte në gjendje të siguronte biletat. Sipas tij, StubHub nuk i ofroi vende të ngjashme, duke argumentuar se çmimet e tregut ishin rritur ndjeshëm.

Pavarësisht kësaj, familja udhëtoi drejt stadiumit me shpresën se situata do të zgjidhej në momentet e fundit. Montalvo vazhdoi të komunikonte me platformën deri pak para fillimit të takimit, por pa rezultat.

"Ndjeva trishtim, frustrim dhe zemërim. Ishte një përzierje emocionesh që është e vështirë të përshkruhet", rrëfeu ai për BBC.

Rasti i tij nuk është i izoluar. Sipas ekspertëve të industrisë, shumë tifozë të Botërorit 2026 janë përballur me anulime të papritura të biletave të blera në tregun sekondar.

Një nga arsyet kryesore lidhet me të ashtuquajturat "bileta spekulative", një praktikë ku shitësit nxjerrin në shitje bileta që ende nuk i zotërojnë, duke shpresuar se do t'i sigurojnë më vonë me çmim më të ulët.

Kur kërkesa rritet dhe çmimet shkojnë në nivele shumë më të larta, ata heqin dorë nga marrëveshja fillestare për t'i shitur biletat më shtrenjtë, ndërsa blerësit mbeten pa bileta dhe me një rimbursim që nuk mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit.

Të fundit