Flash News

E-TJERA

Raporti i GI-TOC / Noterët dhe “Real Estate” mekanizma të pastrimit parave në drogës në ndërtim në Ballkanin Perëndimor!

Raporti i GI-TOC / Noterët dhe “Real Estate” mekanizma  të

Në Ballkanin Perëndimor, paratë e paligjshme rrallë lëvizin vetë. Ato kalojnë përmes kontratave të noterizuara, akteve të pronësisë, marrëveshjeve të huasë, faturave dhe pasqyrave financiare të audituara ,  dokumente që kërkojnë nënshkrimin, certifikimin ose vulën e një profesionisti të licencuar për t’u paraqitur si të ligjshme.

Ky raport shqyrton profesionistët që japin atë nënshkrim: noterët, avokatët, kontabilistët, auditorët dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.
Duke u mbështetur në 89 intervista të zhvilluara në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi ndërmjet dhjetorit 2024 dhe janarit 2026, si edhe në dosje gjyqësore, vlerësime kombëtare të rrezikut dhe raporte të MONEYVAL-it, raporti analizon se si këta “rojtarë të portës” mund ta ndalojnë financimin e paligjshëm që në hyrje ose, përkundrazi, t’i hapin rrugën atij.

Pasuritë e paluajtshme mbeten kanali kryesor për pastrimin e parave. Në të gjashtë vendet përsëriten të njëjtat modele: kontrata shitblerjeje me vlera të nënvlerësuara ose të mbivlerësuara, rishitje të shpejta mes palëve të lidhura, hua të noterizuara pa burim të besueshëm të fondeve dhe blerës nominalë që veprojnë në emër të pronarit të vërtetë përfitues.

Kompanitë guaskë, faturat fiktive dhe strukturat korporative ndërkufitare shtojnë shtresa të tjera fshehjeje. Këto skema zakonisht nuk menaxhohen nga një individ i vetëm, por lehtësohen nga i njëjti rreth i ngushtë noterësh, avokatësh dhe kontabilistësh që shfaqen në transaksione të shumta. Një kontabilist italian, i regjistruar teksa diskutonte lëvizjen e fondeve përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, e përshkroi procesin pa shumë dorashka: “Fillimisht do t’i zhdukim, pastaj do t’i transferojmë në Hong Kong ose diku tjetër.”

Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë përafruar në masë të madhe kuadret e tyre kundër pastrimit të parave me rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF) dhe standardet e Bashkimit Evropian. Hallka më e dobët mbetet mbikëqyrja. Shoqatat profesionale shpesh nuk kanë autoritetin, burimet ose stafin e nevojshëm për të kontrolluar në mënyrë efektive anëtarët e tyre, ndërsa sekreti profesional interpretohet shpesh aq gjerësisht sa që transaksione që duhej të kishin ngritur dyshime mbeten të paraportuara. Në Mal të Zi, për shembull, noterët përpunuan afro 19,857 shitje pronash me një vlerë të vlerësuar prej 1.6 miliardë eurosh gjatë vitit 2024, ndërsa paraqitën vetëm dy raporte për transaksione të dyshimta.

Raporti përfundon duke identifikuar elementet e një sistemi më efektiv: kufij më të qartë për sekretin profesional, verifikime më të forta të integritetit dhe të së kaluarës për noterët dhe kontabilistët, formularë të standardizuar raportimi dhe mekanizma funksionalë komunikimi ndërmjet njësive të inteligjencës financiare dhe profesionistëve që raportojnë transaksionet e dyshimta.
Gjetjet e plota, analiza sipas vendeve dhe studimet e rasteve paraqiten në vijim/ Globalinitiative.net

Të fundit