Flash News

OP-ED

Neomalësorja dhe Neosigurimsi

Neomalësorja dhe Neosigurimsi

Alfred Lela

Marjana Koçeku dhe Frrok Çupi janë dy njerëz me histori të ndryshme. Nuk është këtu vendi për t’i vënë përballë njëra-tjetrës rrugëtimet e tyre në jetë dhe vepër, por për qëllimet e këtij shkrimi na mjafton raporti që ata kanë ndërtuar me protestën qytetare të javëve të fundit. Koçeku ka bërë dy akte gjatë dy ditëve të fundit, duke u ndarë nga Partia Socialiste, dhe duke u ‘shpallur luftë’ atyre që ajo cilëson si ‘Bajrat’, pra fisin-bandë të fuqishëm të Shkodrës, aleatët ekonomiko-elektoralë të Ramës.

Çupi ka bërë dy shkrime. Në njërin sulmon Kishën katolike dhe priftërinjtë dhe në tjetrin gegët. Çuditërisht ai vetë është geg’ edhe katolik. Në shkrimin e parë anti-kishë ai nxjerr nga repertori gjithçka mund të pritet nga një ish-gazetar i Zërit të Popullit, i akuzuar publikisht si agjent i Sigurimit. Shkrimi më shumë i ngjan një kazme të ngritur rishtas kundër kishave dhe objekteve të kultit, ardhur si amanet i zi, që nga koha kur Enver Hoxha vendosi t’i shembte apo t’i kthente në depo. Thellë nga nënvetëdija e Frrokut, tani në pleqëri, kanë shpërthyer ato gjymtime që njeriu i fsheh, por pa mundur përgjithmonë. Pikërisht çka ultra të majtët tipikisht mëshirojnë: asnjë vlerë të qëndrueshme, gjithçka e fshehur pas temave globaliste nëpërmjet termash që premtojnë çdo gjë, por janë edhe të pamundura, edhe të boshatisura nga kuptimi për shkak të mbipërdorimit.

Në shkrimin e dytë, Frroku bëhet anti-geg’ duke i fryrë atij zjarri që e pat bërë me afsh te “Koha jonë” në vitin 1997, të një ‘rreziku verior për jugun rebel’. Asokohe mund t’i kupohej klithma në mes të barutit dhe morekujesë, por tani si është veriu kundër jugut, veçse në kokën e tij? Për cilat arsye? Nën të cilat motive apo shtysa? Ku është konflikti?

Duke ndjekur Ramën në qorrollepsjet ala enveriane me ‘armiq të huaj’, Frroku ka rikalibruar një tezë të armikut të brendshëm, të gegës dhe priftit të filmave të socrealizmit (për të cilët ai thotë se nuk ia paskan futur kot!!). Për këtë nuk ka fakte, se nuk asnjë shenjë, por kushdo ka vendosur të mbulohet me marre në pleqëri nuk pyet për arsye.

Marjana ka vendosur ‘t’i bashkohet’ Kishës katolike, i vetmi institucion fetar me një qëndrim publik për protestat-dhe jo për herë të parë në çështje të ndjeshme shoqërore-kurse Frroku ka nxjerrë prej skutave të ndërgjegjes veten e gjymtuar komuniste, dhe u është kërveshur atyre që kanë guxuar t’i thonë Edi Ramës, në favor të besimtarëve dhe shqiptarëve, ‘ndalu pak!’.

Frroku dhe Marjana nuk janë vetëm dy rrugëtime, por edhe dy standarde. Dy Shqipëri që përplasen me klithma në portat e protestës. Dy mendësi që përleshen për legjitimitet në një kohë e cila shenjohet nga përpjekja për të mos njohur asnjë legjitimitet dhe asnjë autoritet. Ky është terreni më pjellor për të majtën, dhe pikërisht këtu, në squfurin e territoreve të tilla ngrihet Frroku me të ngjashmit.

Ata janë një jehonë nga e shkuara e thellë kundër besimit te Zoti dhe te njeriu. Tani, ata në shesh dhe ata nga kanapetë, kanë dy zgjedhje: Marjanën që del nga PS dhe shkon drejt Aleancës Qytetare, apo Frrokun që sakrifikohet si rrasë mbi varrin e Aleancës së Qelbësirave.

Të fundit