Flash News

Ditari i Opozitës

Nga kullat te Aruba, Berisha: Dumani po fsheh lidhjet e qeverisë me krimin

Nga kullat te Aruba, Berisha: Dumani po fsheh lidhjet e qeverisë me krimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj SPAK dhe Prokurorit të Posaçëm, duke kërkuar që Komisioni i Ligjeve të thërrasë në raportim Altin Dumanin për atë që e cilësoi si fshehje të identitetit të një zyrtari të përfshirë në çështjen e njohur si “Aruba”.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se opozita ka qenë e pandërprerë në denoncimin e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe qeverisë, ndërsa akuzoi SPAK-un se po mbron zyrtarë të lartë duke mos bërë publike emrat e tyre.

Në fjalën e tij, kreu demokrat u ndal edhe te zhvillimi urban në vend, duke pretenduar se gjatë qeverisjes së PD-së nuk është lejuar ndërtimi i asnjë kulle në Shqipëri.

Berisha i cilësoi kullat si simbol të lidhjeve mes korrupsionit, krimit të organizuar dhe qeverisë, ndërsa u bëri thirrje mediave të hetojnë për të identifikuar zyrtarin që sipas tij ka marrë pjesë në takimet e përfolura në Aruba.

PJESE NGA DEKLARATA

PD ka qenë konsekuente në denoncimin e pandërprerë të mafies dhe grupeve mafioze dhe të narkoshtetit.
Tani, unë i pyes ata që mohojnë narkoshtetin në Shqipëri, u them këta me 50 tonelata drogë, çfarë janë?
Para atyre ishte grupi i Arubës, një me qeveritarët.
Dhe për faqen e zezë të Altin Dumanit, mban sekret qeveritarin dhe qeveritarët që kanë shkuar në Aruba.
E kuptoni ju se si shtrihet narkoshteti?
Po për çdo qytetar, interesi më i madh është në radhë të parë për zyrtarin dhe qeveritarin që ka arritur marrëveshjen në Aruba.
Sigurisht edhe për të tjerët, për biznesmenët, për trafikantët. Por kryesor është zyrtari, ai është votuar, ai është emëruar për të mbrojtur vendin nga droga dhe korrupsioni, nga krimi.
Ai autorizohet nga kryeministri për të bërë marrëveshje me drogën dhe korrupsionin.
Dhe prokurori nuk ua thotë emrin.
Prokurori, meqenëse të gjitha rrugët të çojnë tek Edi Rama, nuk i përmend emrat.
Dhe mediat heshtin.
Dhe mediat, në vend që të ndalen para së gjithash në këtë element, sigurisht janë të inkriminuara dhe duhet të marrin atë që meritojnë që të gjithë biznesmenët dhe trafikantët, por ama prania e qeveritarëve në takimin në Aruba dhe fshehja e pranisë së tyre është dëshmia më flagrante e narkoshtetit.
Pse e fsheh ti atë?
Sepse duhet të shkosh tek Edi Rama, njëlloj si me Lubinë.
Pra, ne duhet të jemi siç kemi qenë, shumë aktivë.
Njëherë në radhë të parë, duhet të ndjehemi krenarë se tetë vite në pushtet, në territorin e Shqipërisë nuk u ndërtua asnjë kullë.
Plani i rregullimit të Tiranës lejonte pallate deri në tetë kate.
Le të llomotisin ata që mëngjes, drekë, darkë ushqehen me gënjeshtrat e tyre, por qeveria e PD nuk autorizoi dhe nuk lejoi ndërtimin e asnjë kulle në Shqipëri si monumente, si dëshmi e korrupsionit dhe drogës.
Kemi denoncuar dhe denoncojmë me forcën më të madhe ndërtimin e kullave kudo që ndodhen.
Por kjo është vepër e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij, e narkoshtetit të tij.
Ndaj dhe u bëj thirrje medieve të investigojnë për të gjetur qeveritarin e Arubës, sikundër Komisioni i Ligjeve të thërrasë Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorin e Skapit pse mbron qeveritarin.
Të vijë aty të japë llogari pse e mbron emrin e qeveritarit.
I vetmi që nuk mund të jetë sekret është ai.
Nuk ka, ai ka shkuar aty për t’u garantuar se Malin e Tiranës e keni ju.
Dhe jo vetëm Malin e Tiranës, por kushedi sa male të tjera që po mbijnë çdo ditë.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Të fundit