Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Dumani po fsheh qeveritarët e Arubës për të mbrojtur Ramën

Berisha: Dumani po fsheh qeveritarët e Arubës për të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar prokurorin e SPAK-ut Altin Dumani se po fsheh emrat e zyrtarëve qeveritarë të përfshirë në çështjen e njohur si “Aruba”, me qëllim, sipas tij, mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se hetimi i dosjes dhe identifikimi i biznesmenëve e personave të përfshirë është i rëndësishëm, por sipas tij nuk është i plotë pa publikimin e qeveritarëve që pretendohet se kanë marrë pjesë në takime të dyshuara.

Ai akuzoi Dumanin se po e trajton çështjen si “hetim privat” dhe se po mbron, sipas tij, interesat e qeverisë. Berisha kërkoi që Komisioni i Ligjeve të Kuvendit të thërrasë urgjentisht prokurorin për shpjegime dhe të bëjë publike, siç tha ai, emrat e zyrtarëve të përfshirë.

Lideri i opozitës e cilësoi çështjen “Aruba” si një nga aferat më të rënda, duke pretenduar se ajo lidhet me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në Shqipëri.

Partia Demokratike kërkon publikimin e plotë të emrave të zyrtarëve të përfshirë në këtë çështje, ndërsa Berisha e konsideroi hetimin aktual të paplotë dhe të njëanshëm.

PJESE NGA FJALA

Së fundi, e shtrova edhe dje, e shtroj edhe sot, dënoj me forcën më të madhe mbrojtjen që i bëhet qeveritarit të Arubës.

Kam vlerësuar dhe vlerësoj hetimin e kësaj dosje, nxjerrjen e listës së biznesmenëve të implikuar në këtë dosje dhe të trafikantëve, por nuk pranoj kurrë dhe nuk pajtohem kurrë me fshehjen e qeveritarëve apo qeveritarit të pranishëm në takim.
Sepse është pikërisht kjo prani që fakton se Edi Rama është kreu i narkoshtetit.
Se Edi Rama dërgon qeveritarët e tij në takime me bosët e drogës dhe i garanton ata për investimin e parave të tyre të krimit në Tiranë dhe në Shqipëri.
Dënoj me forcën më të madhe Altin Dumanin, sillet para shqiptarëve sikur ky është një hetim privat, kryen një akt të turpshëm.
Se çdo shqiptar e di që në Aruba ka pasur qeveritarë dhe ai i fsheh vetëm e vetëm e vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.
Po pse Edi Ramën?
Sepse asnjë qeveritar nuk mund të shkonte dot pa autorizimin e Edi Ramës në atë takim famëzi.
I kërkoj Komisionit të Ligjeve të thërrase me urgjencë prokurorin për shpjegime.
Shqiptarët duhet të dinë cili është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe roli i tij në Aruba, cilët janë qeveritarët që ai dërgoi në atë takim.
Nuk ka asgjë më të rëndë.
Ajo është një nga aferat më të mëdha që jo vetëm provon atë që e kemi denoncuar në mënyrën më të përsëritur, narkoshtetin.
Provon se kullat janë monumente të drogës dhe krimit.
Pra, PD kërkon me forcën më të madhe nxjerrjen e emrave të zyrtarëve të kanë qenë në Aruba.
E konsideron këtë aktin më të rëndë.
Hetimi është shtetëror dhe jo privat.
Altin Dumani është një prokuror i kapur pasi vetë ka larë paratë në banesat e tij.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Të fundit