Flash News

E-TJERA

Euro thyen rekorde të reja, zbret poshtë 94.9 lekëve

Euro thyen rekorde të reja, zbret poshtë 94.9 lekëve

Euro e ka nisur edhe këtë javë në rënie dhe ka zbritur në një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Kursi Euro-Lek ka rënë me afërsisht 1.9% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 3.2%.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se nisja e sezonit veror ka sjellë një rritje të kuptueshme të ofertës në tregun valutor. Kjo i ka forcuar akoma më shumë presionet për zhvlerësimin e Euros, që këtë vit kishin qenë të pranishme qysh në tremujorin e parë të vitit.

Përveç turizmit, një ndikim të konsiderueshëm besohet se po sjellin edhe flukset valutore të lidhura me investimet në tregun e pasurive të paluajtshme.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit, pesha e investimeve në real estate në strukturën e investimeve të huaja direkte arriti në 43%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të vitit 2026. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në veçanti, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohet të kenë arritur në 174 milionë euro, duke shënuar gjithashtu një rekord të ri historik për tremujorin e parë të vitit.

Sektori i pasurive të paluajtshme besohet se tërheq brenda vetes edhe sasi të konsiderueshme të të ardhurave nga aktivitete kriminale dhe informale. Javën e kaluar, Prokuroria e Posaçme njoftoi zbulimin e një skeme të pastrimit të parave në këtë sektor, ku akuzohen se janë të përfshirë edhe ndërtues të rëndësishëm.

Burime nga tregu shprehen se Banka e Shqipërisë vazhdon të ndërhyjë rregullisht në tregun valutor, me qëllim tërheqjen e një pjese të valutës dhe ngadalësimin e forcimit të monedhës vendase. Sasitë e valutës së blerë gjatë 2026 nuk janë bërë ende publike, por, megjithatë, ato nuk po arrijnë ta frenojnë dot plotësisht këtë mbiçmimin e monedhës vendase. Në periudhën 2024-2025, Banka e Shqipërisë ka blerë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor.

Ndërkohë që inflacioni është në rritje dhe ka arritur tashmë objektivin prej 3%, ndërhyrjet e mëtejshme në tregun valutor për të blerë Euro bëhen në teori më të vështira, sepse injektimi i mëtejshëm i Lekut në ekonomi ka të ngjarë të ushqejë edhe më shumë presionet inflacioniste.

Nga ana tjetër, një forcim i mëtejshëm i Lekut mund të amortizojë pjesërisht këto presione, por, nga ana tjetër, do të thellojë efektet negative për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare. /Monitor

Të fundit