Flash News

E-TJERA

Digjet banesa, katër vëllezër humbin jetën nga zjarri në Greqi

Digjet banesa, katër vëllezër humbin jetën nga zjarri

Një tragjiedi është regjistruar mëngjesin e së dielës në Konicë të Greqisë, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre.

Sipas raportimeve të mediave greke, flakët shpërthyen pak para orës 07:00 në një kontejner ku jetonin katër vëllezër e motra të moshuar. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, në vendngjarje u gjetën trupat e pajetë të një burri dhe tre grave.

Viktimat, të moshave 69, 75, 83 dhe 88 vjeç, jetonin prej rreth tre dekadash në kontejnerin që u ishte vënë në dispozicion pas tërmetit të madh që goditi zonën e Konicës. Ai ishte vendosur në tokën e tyre, pranë urës së qytetit.

Banorët e zonës kanë treguar se katër të moshuarit jetonin në kushte të vështira ekonomike, pa furnizim me energji elektrike dhe me probleme të shpeshta shëndetësore.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit, ndërsa një nga pistat kryesore është se flakët mund të jenë shkaktuar nga një qiri ose llambë vaji e përdorur për ndriçim. Ndërkohë, shërbimet sociale kishin ndërhyrë më herët për pastrimin e ambientit ku jetonte familja.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit morën pjesë 10 zjarrfikës me pesë mjete, ndërsa ekspertët e Departamentit të Zjarrfikësve kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. 

Të fundit