Flash News

E-TJERA

Marshimi i protestuesve drejt Rinasit u ndal mbrëmë nga policia, qytetarët thirrje efektivëve: Bashkohuni me ne

Marshimi i protestuesve drejt Rinasit u ndal mbrëmë nga policia,

Pas disa orësh proteste para Kryeministrisë, qytetarët vijuan aksionin e tyre me një marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke u drejtuar më pas drejt autostradës Tiranë-Durrës dhe zonës së Rinasit.

Rreth orës 00:26 pas mesnate, kolona e protestuesve mbërriti pranë mbikalimit të Rinasit, ndërsa më pas marshimi vazhdoi në drejtim të aeroportit. Pjesëmarrësit vijuan me thirrjet dhe sloganet e tyre, duke e zgjatur protestën deri në orët e para të mëngjesit.

Rreth orës 02:00, forcat e policisë ndërhynë për të ndaluar avancimin e protestuesve pranë aeroportit. Përmes altoparlantëve, efektivët u kërkuan qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të mos bllokonin qarkullimin.

“Ruani qetësinë, mos bllokoni rrugën. Veprimet tuaja janë të paligjshme. Policia do të zbatojë ligjin”, ishte mesazhi i përcjellë nga uniformat blu.

Nga ana tjetër, protestuesit iu drejtuan efektivëve me thirrje për t’iu bashkuar protestës, ndërsa apeluan për vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

“Bashkohuni me ne! Hiqni kapelet! Mos u dorëzoni!”, dëgjoheshin thirrjet e qytetarëve gjatë përballjes verbale me forcat e rendit.

Të fundit