Flash News

KRYESORE

Raporti i PE për Shqipërinë, alarm për zgjedhjet, korrupsionin, median dhe mjedisin

Raporti i PE për Shqipërinë, alarm për zgjedhjet,

Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë për vitin 2026, një dokument që përfshin mbi 300 amendamente krahasuar me draftin fillestar dhe trajton një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me procesin demokratik, sundimin e ligjit, korrupsionin, lirinë e medias, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në versionin përfundimtar janë përfshirë edhe dy amendamente të reja që lidhen me zonat e mbrojtura dhe kërkesat e Bashkimit Evropian për vlerësimin e ndikimit në mjedis, çështje që kanë qenë në qendër të debateve publike gjatë muajve të fundit.

Në kapitullin për zgjedhjet, raporti evidenton shqetësime për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë proceseve elektorale, duke theksuar se kufiri mes administratës publike dhe partisë në pushtet mbetet i paqartë.

Dokumenti ngre gjithashtu shqetësime për transparencën e financimit të partive politike, akuzat për blerje votash dhe presion ndaj zgjedhësve, si dhe për moszbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Raporti ndalet edhe te polarizimi politik në vend, duke vlerësuar se klima e vazhdueshme e përplasjes mes palëve dëmton funksionimin normal të institucioneve demokratike, ul besimin e publikut dhe kufizon rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj qeverisë. AFET kërkon një përfshirje më domethënëse të opozitës në proceset parlamentare dhe më shumë transparencë në hartimin e legjislacionit.

Sa i takon sundimit të ligjit, eurodeputetët shprehin shqetësim për presionet politike ndaj sistemit gjyqësor dhe për sfidat që lidhen me efikasitetin e gjykatave, zbatimin e vendimeve të formës së prerë dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë në drejtësi. Në raport kërkohet zbatimi i plotë i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimi i procedurave kushtetuese për çështjet që lidhen me imunitetin parlamentar.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti evidenton se Shqipëria ka shënuar rënie në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke kaluar nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të në vitin 2025. Sipas AFET, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe nevojiten rezultate më konkrete në hetimin dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Po ashtu, kërkohet garantimi i pavarësisë dhe kapaciteteve të SPAK, si dhe forcimi i mekanizmave për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.

Raporti trajton edhe çështjet e pronësisë, duke theksuar se procesi i regjistrimit fillestar të pronave mbetet i papërfunduar dhe se qytetarëve duhet t'u garantohet e drejta për një proces të drejtë gjyqësor në rastet e shpronësimeve.

Në fushën e medias, AFET dënon ashpër retorikën anti-media dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve, duke shprehur shqetësim për numrin e lartë të padive ndaj tyre dhe për mungesën e transparencës në pronësinë mediatike dhe shpërndarjen e reklamave shtetërore.

Në aspektin e administratës publike dhe qeverisjes, raporti evidenton nevojën për depolitizimin e shërbimit civil, forcimin e meritokracisë dhe rritjen e transparencës në prokurimet publike. Po ashtu, theksohet se sistemi i kontrollit të brendshëm financiar publik mbetet vetëm pjesërisht efektiv.

Një nga kapitujt më kritikë është ai për mjedisin. Raporti citon vlerësimin e Komisionit Evropian sipas të cilit Shqipëria nuk ka bërë progres në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike gjatë vitit të fundit. AFET shpreh keqardhje për zgjatjen e ligjit për Investimet Strategjike dhe kërkon shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 që lejojnë zhvillime turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura, duke argumentuar se ato dobësojnë mbikëqyrjen mjedisore.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për parregullsitë e identifikuara nga OLAF në zbatimin e programit IPARD II dhe kërkon masa korrigjuese të menjëhershme për garantimin e përdorimit korrekt të fondeve të Bashkimit Evropian.

Në politikën e jashtme, eurodeputetët paralajmërojnë se nisma rajonale jashtë kuadrit të Bashkimit Evropian, përfshirë “Ballkanin e Hapur”, mund të krijojnë struktura paralele që dobësojnë Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal të mbështetur nga BE-ja.

Raporti i AFET konsiderohet një nga dokumentet më të rëndësishme politike për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, pasi evidenton sfidat kryesore që vendi duhet të adresojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Të fundit