Flash News

E-TJERA

Marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali u dha të drejtën, por jo pensionin! Emigrantët prisnin prej muajsh

Marrëveshja e pensioneve Shqipëri-Itali u dha të drejtën,

Marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila hyri në fuqi në korrik të vitit 2025, u konsiderua si një nga arritjet më të rëndësishme për emigrantët shqiptarë.

Ajo u dha mundësinë mijëra qytetarëve të bashkojnë vitet e punës dhe kontributet e derdhura në të dy vendet për të përfituar pensionin që u takon.

Por për shumë emigrantë, rruga drejt këtij përfitimi nuk ka qenë aspak e lehtë.

Disa shqiptarë që jetojnë prej dekadash në Itali iu drejtuan emisionit Fiks Fare, duke denoncuar se kishin muaj të tërë që prisnin përgjigje për dosjet e pensionit. Ata kishin aplikuar menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, por nuk merrnin asnjë informacion për ecurinë e kërkesave të tyre.

Njëri prej tyre tregoi se kishte 13 vite pune në Shqipëri dhe 33 vite në Itali. Ai kishte dorëzuar dokumentacionin në korrik të vitit 2025 pranë patronatit në Itali, por pas shumë muajsh pritjeje nuk dinte ende se ku kishte mbetur dosja e tij.

Një tjetër emigrant tha se kishte plotësuar kushtet për pension të parakohshëm sipas legjislacionit italian, me mbi 42 vite e 10 muaj kontribute. Edhe pse kishte aplikuar që në korrik 2025 dhe kishte bërë vazhdimisht kërkesa për informacion, ai nuk kishte marrë asnjë përgjigje konkrete.

Ndërkohë, një qytetar tjetër, që jeton prej më shumë se 30 vitesh në Itali, rrëfeu se ishte detyruar të vinte disa herë në Shqipëri për të ndjekur personalisht procedurat. Edhe pas aplikimit për bashkimin e kontributeve, përgjigjja që merrte vazhdimisht ishte vetëm një: “Duhet të presësh”.

Për të kuptuar arsyet e vonesave, Fiks Fare iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas Loreta Shkëmbit, drejtoreshë në ISSH, marrëveshja me Italinë ka sjellë një volum të jashtëzakonshëm pune për institucionin.

Ajo bëri me dije se nga 1 korriku 2025 deri më sot janë trajtuar mbi 7.500 kërkesa që lidhen me marrëveshjen shqiptaro-italiane. Sipas ISSH-së, procedurat shpesh zgjasin më shumë për shkak të verifikimeve të periudhave të punës, veçanërisht për vitet para 2012, kur kërkohet hapja e arkivave dhe rivlerësimi i dokumentacionit.

Për rastet konkrete të paraqitura nga Fiks Fare, ISSH sqaroi se dosjet ishin përpunuar dhe dokumentacioni ishte përcjellë pranë autoriteteve italiane.

Menjëherë pas interesimit të emisionit, qytetarët konfirmuan se kishin marrë informacionin dhe përgjigjet që prisnin prej muajsh. Përmes videomesazheve të dërguara në redaksi, ata falënderuan Fiks Fare për ndërhyrjen që ndihmoi në zhbllokimin e situatës.

Historia tregon se edhe kur një marrëveshje ndërkombëtare garanton një të drejtë të fituar, burokracitë dhe vonesat administrative mund ta bëjnë shumë të gjatë rrugën drejt përfitimit të saj./TCH

Të fundit