Flash News

E-TJERA

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të kokainës në Athinë, 11 shqiptarë të përfshirë

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të kokainës në Athinë,

Një organizatë kriminale e përfshirë në trafikimin e kokainës në zona të ndryshme të Athinës është goditur dhe çmontuar nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes së Krimit në Athinë. 

Gjatë një operacioni të gjerë policor, të zhvilluar në banesa dhe ambiente magazinimi që shërbenin si baza operative të grupit, oficerët e policisë, me mbështetjen e njësive speciale OPKE dhe EKAM, arrestuan 9 persona të moshës 24 deri në 43 vjeç, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim. 

Në total, organizata përbëhej nga 14 persona, 11 shqiptarë dhe 3 shtetas grekë.

Mes të arrestuarve shqiptarë janë Ervin Ademi (i njohur edhe si Leo), 39 vjeç, Elton Plepi (Toni), 42 vjeç, Ervis Tringa (Niko), 38 vjeç, Albert Pali (Berti), 42 vjeç, Bruno Anastasaj (Thodhori), Kondelina Dhimertika, 43 vjeç, Xhulio Kërçani, 29 vjeç dhe Malena Alushaj, 24 vjeç. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Helis Cato, 38 vjeç, Taulant Prifti, 47 vjeç dhe Erald Gjata, 46 vjeç.

Sipas autoriteteve greke, të dyshuarit përballen me akuza që lidhen me krijimin dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale, trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimin e parave, armëmbajtjen pa leje, shkeljen e legjislacionit për të huajt si dhe falsifikimin e dokumenteve.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se grupi vepronte të paktën që nga dhjetori i vitit 2025, duke funksionuar me një strukturë të organizuar hierarkike, të drejtuar nga një lider dhe tre zëvendës të tij. Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, anëtarët përdornin aplikacione të koduara komunikimi, terminologji të veçantë dhe ndryshonin vazhdimisht numrat telefonikë.

Sipas dosjes hetimore, drejtuesi i organizatës, 39-vjeçari Ervin Ademi, kishte kontroll të plotë mbi aktivitetin kriminal, duke koordinuar veprimtarinë e grupit, përcaktuar strategjitë dhe dhënë urdhra për anëtarët. Tre zëvendësit e tij kujdeseshin për shpërndarjen e kokainës tek anëtarët e tjerë, të cilët më pas e shisnin atë tek klientët në tregun lokal.

Gjatë kontrolleve në bazat operative të grupit, policia sekuestroi 827 gramë kokainë, një sasi të vogël marijuane, tre pistoleta, një karikator arme luftarake, 119 fishekë, telefona celularë, pesë automjete të përdorura për trafik droge, 14.505 euro dhe 470 dollarë amerikanë, tre radio-komunikimi, shtatë peshore elektronike precize, një shkop, sprej me piper dhe tre thika.

 

Të fundit