Flash News

E-TJERA

Dalin foto nga takimi Top-Secret në Aruba: Bosat e drogës në tavolinë dhe misteri i njeriut të qeverisë

Dalin foto nga takimi Top-Secret në Aruba: Bosat e drogës në

Fotografitë e takimit misterioz të zhvilluar në Aruba kanë dalë për herë të parë në dritë, duke hedhur më shumë dritë mbi një nga episodet më të përfolura të hetimit ndërkombëtar për trafik droge dhe pastrim parash që po zhvillohet nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet belge, spanjolle dhe holandeze.

Në dokumentet hetimore të administruara nga SPAK janë përfshirë edhe fotot e takimit ku shfaqen disa nga personat nën hetim, mes tyre Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti dhe Bashkim Osmani.

Dalin foto nga takimi Top-Secret në Aruba: Bosat e drogës në Dalin foto nga takimi Top-Secret në Aruba: Bosat e drogës në

Në përshkrimin që shoqëron fotografitë shkruhet: “Nga autoritetet e Spanjës janë paraqitur të dhëna në lidhje me personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Erjon Rama, Elton Memeti për shkallën e pjesëmarrjes së tyre në takime të ndryshme të konstatuara gjatë hetimit.”

Takimet janë zhvilluar në Aruba dhe Monako dhe sipas hetuesve lidhen me aktivitetin e një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e të ardhurave të krijuara nga ky aktivitet.

Por ende, edhe pas zbulimit të këtyre detajeve nga dosja e SPAk, elementi më intrigues i dosjes mbetet një detaj që SPAK e përmend shprehimisht: komunikimet për takime me “funksionarë të lartë shtetërorë” shqiptarë.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme thuhet se Artur Shehu, Adrian Rama dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë zhvilluar takime jashtë Shqipërisë, në Spanjë dhe Aruba, ndërsa kanë komunikuar edhe për takime me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Identiteti i këtyre funksionarëve nuk bëhet publik në dokumente, por sipas SPAK, kontaktet lidhen me përpjekjet për të zhvilluar prona dhe për të siguruar leje ndërtimi për projekte të mëdha në Shqipëri.

Dosja përshkruan një skemë ku personat nën hetim dyshohet se kanë përdorur dhurime, kontrata dhe veprime juridike të maskuara për të fituar kontroll mbi prona dhe për të marrë leje ndërtimi. Sipas SPAK, projekti u pengua pjesërisht nga sekuestrimi i pasurive të Denis Matoshit (Eldi Dizdari) dhe nga mosrealizimi i disa procedurave juridike të nevojshme.

Takimi i Arubës ishte përmendur më herët edhe nga gazetari investigativ italian Nello Trocchia në librin e tij mbi mafian shqiptare. Duke iu referuar dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane, ai shkruan se në janar 2019 në ishullin karaibik u mblodhën disa prej figurave kryesore të një rrjeti që po hetohej për trafik ndërkombëtar droge dhe investime multimilionëshe në Shqipëri.

Sipas Trocchia-s, hetuesit dyshojnë se në takim nuk merrnin pjesë vetëm biznesmenë dhe persona të lidhur me botën e krimit, por edhe “përfaqësues të papërcaktuar të qeverisë shqiptare në detyrë”, të cilët përmenden në dokumentet hetimore pa u identifikuar me emër.

Tashmë, me publikimin e fotografive nga Aruba, një prej episodeve më të errëta të dosjes së SPAK merr për herë të parë edhe një dimension vizual, ndërsa mbetet ende pa përgjigje pyetja kryesore: kush ishin funksionarët e lartë shqiptarë që u takua me grupin në Aruba?/ Lapsi.al

Të fundit