Flash News

Ditari i Opozitës

Debate në GJKKO/ Meta-gjyqtarit Bani: Jeni ekstremisht i njëanshëm, më trajtoni si terrorist ukrainas

Debate në GJKKO/ Meta-gjyqtarit Bani: Jeni ekstremisht i

Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ishte i pranishëm dhe u përfshi në debat gjatë procesit gjyqësor. Seanca u tensionua pasi Meta kërkoi të kundërshtonte deklarimet e prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi, por gjykata vendosi që ai të flasë pasi të përfundojë relatimi i akuzës.

Prokurori Kllapi paraqiti detaje nga hetimet për lobimin e LSI në SHBA, duke u bazuar në të dhënat e regjistrit FARA dhe kontratat me kompaninë DSIS.

Sipas tij, kompania ka raportuar aktivitet lobimi për LSI-në në vlerë mbi 460 mijë dollarë, ndërsa nga pala shqiptare janë deklaruar pagesa shumë më të ulëta.

Hetimi, sipas SPAK, ka zbuluar mospërputhje në pagesa dhe dyshime se një pjesë e fondeve mund të jenë mbuluar përmes palëve të treta dhe kompanive të lidhura me Adrian Shatkun.

Prokuroria pretendon se disa pagesa janë kryer jashtë transparencës së plotë dhe se fondet janë përdorur për lobim dhe takime të zyrtarëve të LSI-së në SHBA, përfshirë Ilir Metën dhe Petrit Vasilin.

SPAK ngre dyshime se një pjesë e shumave mund të ketë origjinë të paligjshme dhe të jetë përdorur për të justifikuar financimin e aktivitetit të lobimit, duke e konsideruar si rast të mundshëm të pastrimit të parave.

Gjatë seancës, Meta kundërshtoi ashpër procedurën, duke akuzuar gjykatën për njëanshmëri dhe duke kërkuar të fliste menjëherë, por trupi gjykues këmbënguli në respektimin e rregullave të procesit.

Pjesë nga debati

Meta: kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohet media që të mos kuptohet se po bëhet mashtrim. Mos më ndërprisni fare. Prokurori e nisi me seancën e kaluar. Rregullat i di mirë unë, gjykata duhet të jetë edhe e pavarur edhe e paanshme. Dua ti jap një përgjigje për seancën e kaluar dhe pastaj vazhdojmë sipas asaj që ka.

Ilir Meta: Jeni ekstremisht njëanshëm ta dëgjojë edhe media dhe unë jam këtu si terrorist ukrainas.

Erion Bani: gjykata vendos kush flet e kush jo, duhet të mbarojë prokuroria pastaj ju, ka rregulla procesi

Ilir Meta: Kanë tmerr nga e vërteta, kjo është paanësia e gjykatës. Jeni ekstremisht i njëanshëm.

Erion Bani: Bëj kërkesë për përjashtim trupe

Ilir Meta: S’kam asnjë kërkesë, sepse më e mira nga të gjithë ju është Irena Gjoka. Kam respekt për rregullat e ligjin, derisa zotëria e filloi me seancën e kaluar ishte e drejta ime të jepja sqarim për këtë gjë sepse gazetarët mund të ikin të lëvizin.
Qëndrimi i SPAK për lobimin e LSI në SHBA

Sotir Kllapi: Në SHBA gjendet një organizëm zyrtar që quhet FARA. Në këtë faqe zyrtare interneti, që funksionon në varësi të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, të gjitha kompanitë e lobimit raportojnë aktivitetet e tyre. Ndër të tjera, aty janë raportuar edhe kontratat e lobimit të LSI-së.

Ekziston edhe marrëveshja me kompaninë DSIS, e cila ka deklaruar kontratat me LSI-në për vitin 2016, të gjitha faturimet dhe aktivitetin që ka kryer për llogari të saj. Fillimisht ka pasur një nivel komunikimi me Ilir Metën, më pas është komunikuar me Petrit Vasilin.

Ka dyshime se nga shuma prej 463 mijë dollarësh që ka raportuar kompania, nga LSI janë paguar vetëm 93 mijë dollarë përmes tre pagesave dhe faturave. Kemi kërkuar të dhëna, por na është thënë se nuk kishte më akses në këto llogari, pasi ato janë mbyllur.

Vijuam hetimet për shërbimet që ka ofruar kjo kompani, ku mësuam se ajo ka siguruar takime të Ilir Metës me senatorë, anëtarë të Departamentit të Drejtësisë, si dhe me zyrtarë të Departamentit të Artit dhe Kulturës. Kompania ka vënë në dispozicion të gjitha faturat.

Nga Meta, Vasili dhe Luan Rama janë ngritur pretendime se nuk kanë dijeni për pagesa të tjera, ndaj ne vijuam hetimet.

Ndër të tjera rezulton se, përveç takimeve që përmendëm në seancën e kaluar, kjo kompani ka organizuar ardhjen në Shqipëri të disa shtetasve gjatë viteve 2016-2017. Në këto rrethana u interesuam për aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Kemi verifikuar pagesat në hotele dhe rezulton se disa prej tyre janë kryer nga Adrian Shatku ose me kartat bankare të këtij të fundit. Ngrihen dyshime se edhe pagesat e tjera, në total, mund të jenë bërë nga ky shtetas ose nga kompanitë e tij.

Duke qenë se DSIS ishte mbyllur, dërguam letërporosi për llogaritë e Adrian Shatkut. Nga përgjigjet rezulton se, në kuadër të marrëveshjes me DSIS, kjo e fundit i ka lëshuar LSI-së 18 fatura.

Tre fatura, e para, e dyta dhe e katërta, ishin ato që kishim gjetur në Shqipëri nga marrëdhëniet me DSIS. Nga totali i faturave rezulton se DSIS ka lëshuar 18 faturime për LSI-në në shuma të ndryshme. Tre janë paguar nga LSI, ndërsa 12 janë paguar nga kompania Unifi në shumën rreth 279,783 dollarë. Për tre fatura të tjera, në vlerën rreth 93 mijë dollarë, nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna.

Akuza është se shuma prej 279,783 dollarësh, përveçse përbën produkt të korrupsionit, është përdorur edhe një formë për pastrimin e produkteve të veprës penale. Këto para janë paraqitur si pagesa të ligjshme, ndonëse sipas dyshimeve përbënin përfitim nga vepra penale e korrupsionit.

Është nënshkruar një marrëveshje e ligjshme në dukje, me para që paraqiteshin si të ligjshme.

Ilir Meta ka qenë disa herë në SHBA. Përveç vizitave zyrtare, ai ka zhvilluar edhe takime të tjera jashtë axhendës zyrtare, të cilat janë raportuar si shërbime të ofruara nga kompania DSIS. Ai ka qenë i vetëdijshëm për këtë fakt.

Në funksion të kësaj marrëveshjeje janë ftuar dhe janë raportuar takime edhe për funksionarë të tjerë, si ministri Petrit Vasili.

Shërbimi i ofruar nga kompania në SHBA është i ligjshëm, ndërsa sipas akuzës, mënyra e sigurimit të parave për financimin e tij është e paligjshme.

Të fundit