Flash News

E-TJERA

Avokati Matlija i replikon Ramës: Nuk të shkon roli i certifikuesit të konstruktivitetit

Avokati Matlija i replikon Ramës: Nuk të shkon roli i certifikuesit

Avokati Dorjan Matlija ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit komentoi në rrjetet sociale vendimin e tij për t'u distancuar nga grupi organizator i protestës. Në postimin e tij, Rama e cilësoi këtë si një vendim të drejtë, ndonëse, sipas tij, të marrë me vonesë.

Përmes një reagimi në Facebook, Matlija iu kundërpërgjigj kryeministrit me tone të ashpra, duke deklaruar se Rama nuk mund të marrë rolin e "certifikuesit të konstruktivitetit", ndërsa, sipas tij, ka nën varësi një polici që "tërheq zvarrë qytetarët dhe sillet sikur po hakmerret me ta, e jo sikur po mbron rendin".

Avokati thekson se procesi i negociatave me Bashkimin Europian i përket shtetit shqiptar dhe jo, siç shprehet ai, "një oborri politik". Më tej, Matlija e cilëson pushtetin e Ramës si "kriminal", duke renditur si arsye dosjet penale që, sipas tij, rëndojnë mbi qeverisjen, lidhjet me të privilegjuarit, paratë e pista dhe shkeljet e ligjit.

Duke u ndalur te projekti i Vjosë-Nartës, Matlija shprehet se nuk mund të ketë dialog me një kryeministër që, sipas tij, ka deklaruar se "sa të jem unë këtu, projekti do bëhet". Ai shton se edhe qëndrimi i Parlamentit Europian e bën të qartë përfundimin e këtij debati.

 Postimi

Replike ndaj profilit te facebookut te Edi Rames.

Ne pergjigje te asaj qe shkruan, i them fillimisht se nuk i shkon fare roli i certifikuesit te konstruktivitetit dikujt qe ka nen vartesi nje polici qe terheq zvarre qytetare ne rruge dhe i trajton sikur po hakmerret, jo sikur po ruan rendin. Sa per piken 1, ne negociata me Bashkimin Europian eshte shteti shqiptar dhe jo ndonje oborr politik. Dhe ky shtet do jete ne negociata edhe sikur bie fjala nje dite kryeministri te perfundoje ne burg. Ky pushtet quhet kriminal per shkaqe te shumta, qe nga dosjet e panumerta penale ne kurriz te tij, e deri te qenia nyje ku lidhet spangoja e te privilegjuarve, parave te pista dhe shkeljes te ligjeve, qe kur eshte rasti edhe zhbehen fare si ligje.

Kurse per piken 2, per Vjose-Narten per cfare duhet dialogu? Per ta kthyer ne monolog? Dialog nuk behet me nje person qe thote“sa te jem une ketu, projekti do behet”. Gjithashtu nuk ka vend per asnje dialog kur Parlamenti Europian e ben te qarte se si mbaron debati. Ne fund te fundit, nese pushteti vizaton Shqiperine pa shqiptaret, keta te fundit kane te drejte te vizatojne nje Shqiperi pa kete pushtet. Dhe kush vizaton, zakonisht nuk dialogon me vizatimin. Kete ke bere ti, kjo po behet me ty. Kaq e thjeshte eshte.

Të fundit