Flash News

E-TJERA

Edhe makineritë e pajisjet në Shqipëri u kushtojnë bizneseve më shumë se BE

Edhe makineritë e pajisjet në Shqipëri u kushtojnë bizneseve

Nuk janë vetëm konsumatorët shqiptarë që paguajnë më shtrenjtë se mesatarja e bashkimit Europian për shumë produkte, sidomos për ushqimet.

Edhe bizneset i blejnë makineritë dhe pajisjet më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian, duke qenë ky një faktor i rëndësishëm që i bën ata kjo konkurrues dhe frenon investimet në teknologji. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për nivelet krahasuese të çmimeve të investimeve në vitin 2024, indeksi i çmimeve për kategorinë “makineri, pajisje dhe produkte të tjera” në Shqipëri ishte 111, ose 11% mbi mesataren e BE-së, e cila merret si bazë 100.

Shqipëria renditet kështu ndër vendet me çmimet më të larta në Europë për këtë kategori investimesh, duke lënë pas edhe disa vende të zhvilluara të Bashkimit Europian dhe më e shtrenjta në Ballkan, çka rrit kostot, duke mos pasur një avantazh konkurrues në Ballkan dhe as në Europë.

Në krahasim me vendet e BE-së, Shqipëria është e treta më e shtrenjta dhe në total në Europë është e pesta, pas Zvicrës (121), Islandës (117), Maltës (121) dhe Danimarkës (114). Kosto e këtij zëri, që përfshin Makineri industriale, linja prodhimi, pajisje elektrike dhe elektronike, kompjuterë, automjete dhe mjete të tjera të përdorura nga bizneset, është më e lartë se në shtete të tilla si Franca Gjermania, Italia (shiko grafikun).

Sipas Eurostat, Figura 2 paraqet indekset e nivelit të çmimeve për makineri dhe pajisje, ku përfshihen produktet metalike dhe pajisjet, pajisjet elektrike dhe optike, si dhe mjetet e transportit.

Nga 36 vendet e analizuara, vendi më i shtrenjtë për makineri, pajisje dhe produkte të tjera ishte Zvicra, me indeks 124, ndërsa më i liri ishte Turqia, me indeks 67.

Tipari kryesor i këtij grafiku është se çmimet për këtë kategori produktesh janë relativisht të ngjashme mes vendeve, ndryshe nga ndërtimi, ku diferencat janë më të mëdha.

E shtrenjtë për makineritë, por e lirë për investimet

Ndërsa çmimet e makinerive e pajisjeve janë të larta, për ndërtimin, Shqipëria renditet ndër më të lirat, me 53% të mesatares së BE-së, duke lënë pas vetëm Malin e Zi (51) dhe Bosnjë Hercegovinën (48), me këtë të fundit që është më e lira në Europë.

Figura 3 paraqet indekset e nivelit të çmimeve për ndërtimin.

Vendet më të shtrenjta për investime në ndërtim ishin Zvicra dhe Gjermania, me indekse përkatësisht 146 dhe 145, të ndjekura nga Luksemburgu dhe Suedia.

Fakti që Shqipëria është e lirë për ndërtimet bën që ajo të renditet nën mesataren e BE-së përsa i përket treguesit të investimeve, që mat ndërtesat për banim dhe jo rezidenciale, punimet inxhinierike dhe makineritë e pajisjet e produkte të tjera, me 69% të mesatares së BE-së. Megjithatë, ajo rendite e dyta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë (70%).

Sipas Eurostat, Figura 1 paraqet indekset e nivelit të çmimeve për investimet totale në vitin 2024. Zvicra dhe Gjermania regjistruan nivelet më të larta të çmimeve për investime, përkatësisht me indekse 130 dhe 122.

Në skajin tjetër, vendet më pak të shtrenjta për investime ishin Turqia dhe Bosnjë-Hercegovina, me indekse përkatësisht 59 dhe 66.

Indekset banohen në dy anketa të të dhënave për çmimet, të kryera në vitin 2024 në kuadër të Programit Eurostat-OECD për Paritetet e Fuqisë Blerëse (PPP). Dy anketat mbulojnë ndërtimin — banesa, ndërtesa jorezidenciale dhe vepra inxhinierike civile — si dhe makineritë, pajisjet dhe produkte të tjera. Rezultatet paraqiten në formën e indekseve të nivelit të çmimeve, të cilat krahasojnë nivelet e çmimeve të vendeve me mesataren e BE-së, sqaron Eurostat./ Monitor

Të fundit