Flash News

KRYESORE

Reportazhi: Mafia shqiptare ‘pushton’ Kilin, si u fshehën 20 tonë drogë në dru – ishin nisur nga Bolivia drejt Evropës

Reportazhi: Mafia shqiptare ‘pushton’ Kilin, si u fshehën 20

Një reportazh investigativ i televizionit kilian T13 ka zbuluar detaje mbi një operacion të gjerë ndërkombëtar trafiku droge, ku përmendet edhe përfshirja e mafies shqiptare.

Sipas reportazhit, autoritetet në portin e Aricës sekuestruan rreth 20 tonë dru të mbushur me kokainë të lëngshme, një ngarkesë që sipas hetuesve kishte origjinë nga Bolivia dhe destinacion përfundimtar Europën.

“Vetëm nga mënyra e fshehjes dhe mënyra se si do të nxirrej droga, kuptohet që nuk kemi të bëjmë me një grup lagjeje,” thuhet në reportazh, ku hetuesit ngrenë dyshime për një rrjet më të strukturuar ndërkombëtar.

Në material përmendet se pas operacionit mund të qëndronin struktura kriminale të lidhura me “mafien shqiptare”, e cila sipas narrativës së T13, operon në zinxhirin e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. “Ka vetëm dyshime, por nëse konfirmohen, do të flisnim për diçka më të madhe: mafien shqiptare që operon në Kili,” thuhet në reportazh.

Dokumentari sjell gjithashtu një skemë të detajuar infiltrimi nga autoritetet kiliane, ku një agjent i fshehtë i ushtrisë dhe policisë ka kontaktuar me anëtarë të dyshuar të rrjetit, duke u paraqitur si ndërmjetës portual për transport droge drejt Europës.

Sipas hetimeve të përmendura, rrjeti kishte planifikuar transportin e rreth 200 kilogramëve kokainë të fshehur në konteinerë frigoriferikë, për një pagesë prej 200 mijë dollarësh.

Operacioni përfshinte gjithashtu një zinxhir ndërkombëtar financimi, ku përmenden shtetas kinezë dhe ndërmjetës në Spanjë dhe Holandë, të cilët shërbenin si hallka për transferimin e parave.

Në një tjetër pjesë të materialit, autoritetet kiliane publikojnë deklarime gjyqësore të një të dënuari për trafik droge, i cili sipas T13 është lidhur me organizatën. “Deklarata në gjykatë e një delegati të mafies shqiptare, i dënuar me 15 vite burg për trafik droge,” thuhet në reportazh.

Sipas hetuesve, operacioni u finalizua me arrestime të shumta në Santiago dhe Recoleta, ndërsa u sekuestrua edhe një sasi prej mbi 100 kilogramësh kokainë me pastërti të lartë.

Autoritetet theksojnë se hetimet vazhdojnë dhe se një nga figurat kryesore të dyshuara, i identifikuar si Brian Dragotti, mbetet në kërkim ndërkombëtar.

 

Të fundit