Flash News

OPINEWS

A do t’i ndalojë Policia edhe ata që kritikojnë Ramën në internet?

A do t’i ndalojë Policia edhe ata që kritikojnë Ramën

Genc Burimi

Pa u tharë mirë boja e firmës së shtetit, që ka derdhur dhjetëra mijëra euro për delegacionin surrealist prej 30 vetash që shoqëruan Ramën në Ankara, ai kthehet në atdhe i frymëzuar për të vënë në jetë leksionet e Erdoganit se si të mbyten protestat popullore.

Në mënyrën më të papritur, kryeministri nxori sot para mediave dhe opinionit publik drejtuesin më të lartë të Policisë së Shtetit, gjoja për të informuar mbi një operacion special policor të rëndësisë më të madhe për interesat kombëtare. Opinioni u informua se janë hetuar mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, pasi persona anonimë dhe jo anonimë kanë guxuar të kritikojnë kompani që përfitojnë të ardhura nga turizmi, por që shpesh përfliten si biznese të favorizuara nga qeveria, pra me pronarë miq të Edi Ramës.

Nëse qeveria ndjek këtë rrugë, ajo hap Kutinë e Pandorës për abuzimet më të rënda kundër lirisë së shprehjes dhe të drejtës së opinionit. Po hapi tjetër i Policisë cili do të jetë? Të hulumtojë në internet se kush kritikon qeverinë dhe Edi Ramën e më pas t’i arrestojë? Pikërisht siç bëri Erdogan pas “puçit” të vitit 2016?

 

Nëse rikthehet, apo më mirë ringjallet, në Kodin Penal shqiptar vepra penale e “agjitacionit dhe propagandës” kundër këtij apo atij biznesi, e njëjta logjikë mund të zbatohet nesër edhe ndaj atyre që kritikojnë Edi Ramën.

Kërcënimi që bëri drejtori i Policisë ishte pa asnjë ekuivok:

“Dua ta bëj të qartë se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit.”

Pra, kërcënohen jo vetëm shqiptarët në Shqipëri, por edhe ata në diasporë.

Kur shahen protestuesit, nuk është krim
Ndërkohë, rrjeti i gazetarisë investigative BIRN publikoi një investigim interesant, por në kahun e kundërt, duke denoncuar rastet kur autorë anonimë sulmojnë protestuesit. Artikulli mban titullin: “Opinionet nga autorë ‘anonimë’ shënjestrojnë protestat e Flamingove”.

Sipas BIRN-it, emra të trilluar gazetarësh, që nuk ekzistojnë, botojnë shkrime kundër protestuesve në disa media, si Tema, Shqiptarja.com dhe JavaNews.

Kur BIRN iu drejtua redaksisë së Shqiptarja.com, për të pyetur nëse i njihte autorët anonimë dhe nëse kishte kontakte me ta, përgjigjja e redaksisë ishte kjo:

“Një opinion mund të botohet edhe në mënyrë anonime, pa cenuar thelbin e mesazhit që ai përcjell.”

Dhe, në fakt, kjo përgjigje ngre një pikë interesante: rëndësi ka më shumë mesazhi sesa emri i autorit.

Një përgjigje që, sipas autorit, duhet t’i transmetohet urgjentisht edhe drejtorit të Policisë, Ilir Proda (ose drejtuesit përkatës, sipas rastit), forcat e të cilit kanë mijëra probleme të tjera për të zgjidhur, sesa të merren me llogari anonime që publikojnë kritika ndaj bizneseve turistike.

Nëse në këto mesazhe rëndësi ka përmbajtja — qoftë se dhomat janë shumë të shtrenjta, të pista apo për kritika të tjera që çdo qytetar në një shoqëri demokratike ka të drejtë t’i shprehë pa u kërcënuar nga Policia — atëherë pse kjo e fundit humbet kohë me to?

Apo mos vallë mesazhi i vërtetë është ky: “Nëse kritikoni një hotel, shihni çfarë ju bëjmë. Provoni të kritikoni mua”.

Por edhe Ramës mund t’i thuhet: vetëm me dy ditë “stazh” në Ankara, mendja të shkoi deri këtu. Po të kishe qëndruar një javë, me shumë gjasë do të kishe kërcënuar me burg edhe vetë flamingot.

Të fundit